Çmimi i arit ka arritur një rekord të ri pasi po rritet shqetësimi për një luftë tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.
Një ounche ar tani vlen më shumë se 3200 dollarë (2850 euro), që është hera e parë që ka kaluar këtë kufi, ndërkohë që investitorët po orientohen drejt të ashtuquajturave strehë të sigurta.
Frangu zviceran, një tjetër strehë e sigurt, ka arritur vlerën më të lartë në dhjetë vitet e fundit kundrejt dollarit amerikan, ndërsa shitja e obligacioneve shtetërore amerikane, që kishte nisur më herët këtë javë, ka rifilluar, shkruan skynews.
“Një ikje masive drejt strehëve të sigurta… e gjithë kjo pasqyron mungesën e plotë të qartësisë në tregjet financiare sot”, tha për BBC Olivier d’Assier nga kompania investuese SimCorp.
“Tani po jetojmë në një botë pa rregulla – kur bëhet fjalë për tregtinë, sigurinë, shëndetësinë, madje edhe për sovranitetin”, shton ai.
Çfarë janë strehët e sigurta?
Strehë e sigurt është një investim për të cilin pritet të ruajë ose madje të rrisë vlerën në periudha pasigurie ekonomike.
E gjithë kjo po ndodh pasi aksionet në Wall Street ranë të enjten, ndërsa tregjet aziatike vijuan rënien edhe sot.
Analistët paralajmërojnë se kjo paqëndrueshmëri mund të zgjasë derisa të qartësohen marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Investitorët po ndjekin me kujdes hapat e ardhshëm të qeverive amerikane dhe kineze, veçanërisht njoftimet e reja lidhur me politikat doganore./Katror.info