Fotografi i botës së egër, Arian Mavriqi, ka hapur ekspozitën e tij në Bukuresht, Rumani, një shtet që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo është ndalesa e tretë e projektit të tij, pas ekspozitave në Bosnjë dhe Greqi, dhe synon të prezantojë pasuritë natyrore dhe biodiversitetin e Kosovës përmes fotografisë.
“Disa fotografi nga ekspozita ime e fotografisë në Bukuresht, Rumani.
Ky është shteti i tretë radhazi që ende nuk e ka njohur Kosovën, pas Bosnjës dhe Greqisë, ku kemi qenë brenda tre muajve për të prezantuar pasuritë tona natyrore dhe ornitofaunën. Do të vazhdojmë më tej në Spanjë dhe shtete të tjera”, shkroi Mavriqi në rrjetet sociale.
Ekspozita është pjesë e një projekti të realizuar nga organizata “Pro Active” me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës. Në vijim të këtij angazhimi, Mavriqi do të vazhdojë turneun e tij në Spanjë dhe shtete të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Përveç vlerës artistike dhe dokumentuese, kjo iniciativë përfaqëson një formë efektive të diplomacisë kulturore, e cila mund të shërbejë si një urë komunikimi për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku ekspozitat po mbahen. Përmes artit dhe natyrës, ekspozita synon të nxisë njohjen dhe të krijojë hapësira të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar.
Ekspozita në Bukuresht u mbështet edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Rumani./Katror.info