Pas shqetësimeve të ngritura për sigurinë e mishit të pulës me origjinë nga Brazili, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se të gjitha analizat laboratorike kanë konfirmuar se mishi i bardhë i pulës që tregtohet në Kosovë është i sigurt për konsum, shkruan Katror.info.
Dyshimet u ngritën pas raportimeve nga Shqipëria, ku disa mostra të mishit të importuar nga Brazili rezultuan pozitive ndaj prezencës së bakterieve të rrezikshme. Si reagim ndaj kësaj situate, AUV ndërmori një sërë masash parandaluese për të garantuar mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Kosovë.
Masat përfshinë gjurmimin e plotë të produkteve në treg, vendosjen e kufizimeve të përkohshme në shitje dhe marrjen e mostrave për testim të avancuar laboratorik. Testet janë kryer me metodën ANSR – një metodë moderne për amplifikimin e ADN-së së llojit Salmonella spp – dhe janë konfirmuar më tej me metodën standarde ISO 6579-1.
Mostrat e testuara përqendroheshin në fileton e pulës (breast) me origjinë nga Brazili dhe analizat kanë treguar se nuk ka prezencë të Salmonella Typhimurium apo Salmonella Enteritidis, dy prej shtameve më problematike të kësaj baktereje. Të gjitha mostrat kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në Rregulloren Nr. 27/2012 dhe ndryshimin plotësues 09/2018 për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore.
AUV ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe do të vazhdojë të veprojë në përputhje me legjislacionin në fuqi. “Po punojmë çdo ditë që siguria ushqimore në vend të besohet jo vetëm si fakt, por edhe si perceptim,” thuhet në njoftimin e agjencisë.
Ky reagim i shpejtë dhe transparent vjen si dëshmi e përkushtimit institucional për të ruajtur standardet e larta të sigurisë ushqimore në Kosovë./Katror.info