Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, ka vlerësuar lartë sukseset e arritura nga Kosova në arenën ndërkombëtare të sportit.
Ai ka folur në ceremoninë e organizuar për të shënuar dhjetëvjetorin e anëtarësimit të Kosovës në KON.
“Ky përvjetor i dhjetë është, në radhë të parë, një testament i rrugëtimit të jashtëzakonshëm”, ka thënë Bach, duke theksuar se të qenit një vend si gjeografi nuk e ka penguar Kosovën për arritjen e sukseseve të mëdha.
Sipas të parit të KON, sportistët kosovarë, janë simbol i pasionit dhe përkushtimit. “Sportistët tuaj janë shembëlltyrë e këtij pasioni. Kjo është bukuria e sportit: pavarësisht se kush jeni apo nga ku vini, nga një vend i vogël apo një vend i madh, në sport të gjithë jemi të barabartë,” shtoi ai.
Bach gjithashtu theksoi rëndësinë e këtyre arritjeve për të promovuar vlerat që sporti mishëron.
Suksesi i deritashëm i Kosovës në Lojërat Olimpike Verore e ka befasuar edhe presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach.
Kosova i ka pesë medalje olimpike, prej tyre tri të arta. Gjermani Bach e dorëzoi medaljen e parë të artë, të cilën e fitoi Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”.
Bach, që pas gjashtë muajsh i jep fund periudhës së gjatë si president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, erdhi në Kosovë për të shënuar dhjetëvjetorin e pranimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në IOC. Ai ishte në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar kur më 9 dhjetor 2014 në Monako u mor vendimi për njohje të Kosovës.
Bach kishte vizituar Kosovën në vitin 2015 dhe i kishte premtuar Majlinda Kelmendit se do t’ia dorëzonte personalisht medaljen e artë olimpike, nëse xhudistja do ta fitonte atë në Rio. Premtimi u realizua.
Në Tokio medalje të arta fituan Nora Gjakova e Distria Krasniqi, ndërsa në Paris këtë vit Distria fitoi medalje të argjendtë e Laura Fazliu të bronztë.
“Jo, nuk ka përmbushur pritjet e mia. I ka tejkaluar shumë herë. Nuk kemi mundur ta mendojmë kur morëm vendimin që dhjetë vjet më pas do të ulemi këtu me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe që do t’i ketë tri të arta olimpike dhe dy medalje të tjera olimpike”, ka thënë Bach në konferencë për shtyp të mbajtur të hënën në mesditë. /Katror.info