Bashkimi Evropian dëshiron të mobilizojë 200 miliardë euro për investime në inteligjencën artificiale (AI) në Evropë, njoftoi të martën presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, përcjell Albanian Post.
“Ky do të jetë partneriteti më i madh publik-privat në botë për zhvillimin e inteligjencës artificiale të besueshme”, tha ajo, duke iu referuar aleancës së quajtur “EU AI Champions Initiative”, e cila bashkon më shumë se 60 kompani.
“Ne duam që Evropa të jetë një nga kontinentet lider në AI”, shtoi ajo, duke theksuar se blloku synon të fokusohet në gjigafabrika me një investim prej 20 miliardë euro.
Ursula von der Leyen saktësoi se BE-ja do të angazhohej për një shumë prej 50 miliardë eurosh, përveç 150 miliardë angazhimeve të grupeve të mëdha që marrin pjesë në këtë “aleancë”.
“Shumë shpesh, dëgjoj se Evropa është prapa në garë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë tashmë përpara. Nuk jam dakord. Sepse gara për AI-n nuk ka përfunduar”, shtoi shefja e BE-së.
“Në të vërtetë, ne vetëm sa kemi nisur. Kufijtë janë vazhdimisht duke lëvizur. Dhe lidershipi global mbetet ende për t’u kapur”, tha ajo.
Aleanca “EU AI Champions Initiative”, e cila bashkon grupet kryesore industriale (Airbus, L’Oréal, Mercedes, Siemens, etj.) dhe grupet e teknologjisë (Spotify, Mistral AI, etj.), duhet, sipas promotorëve të saj, të bëjë të mundur “zhbllokimin e potencialit të plotë të Evropës” në AI, veçanërisht duke thjeshtuar këtë kornizë të re rregullatore./Katror.info