Siguria kibernetike është një sfidë globale, dhe bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor për ndërtimin e sistemeve digjitale të qëndrueshme. Në këtë kuadër, Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, zhvilloi sot një takim me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, dhe drejtorin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Igli Tafa.
Gjatë takimit, Ambasadori Gonzato theksoi se Shqipëria ka bërë përparim shumë të mirë në forcimin e kapaciteteve të saj në fushën e sigurisë kibernetike, falë mbështetjes së Bashkimit Evropian.
“Siguria kibernetike është një ndër prioritetet kryesore të BE-së. Partneriteti ynë i fortë me Shqipërinë, i bazuar në ekspertizën e Akademisë së Qeverisjes Elektronike të Estonisë, po forcon qëndrueshmërinë rajonale kibernetike, kapacitetet teknike dhe bashkëpunimin në një moment kyç,” tha ambasadori i BE-së.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë bëri të ditur se BE-ja ka mbështetur autoritetet shqiptare në përballimin e sulmeve kibernetike përmes programit “Cybersecurity Rapid Response” për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky program, i financuar nga BE dhe i zbatuar nga Akademia e Qeverisjes Elektronike e Estonisë, është nisur pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 në rajon.
Programi “Cybersecurity Rapid Response” synon të forcojë qëndrueshmërinë kibernetike përmes trajnimeve të ekspertëve, konsulencës dhe ofrimit të softuerëve të avancuar të sigurisë kibernetike. Kjo mbështetje rrit aftësinë e Shqipërisë për të zbuluar dhe reaguar në mënyrë efikase ndaj kërcënimeve kibernetike, duke siguruar një infrastrukturë digjitale më të mbrojtur dhe të sigurt.
Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë që Bashkimi Evropian i kushton sigurisë kibernetike dhe angazhimit të tij për të ndihmuar Shqipërinë në ndërtimin e një mjedisi digjital të sigurt dhe rezistent.
/rtsh.al/Katror.info