Për nder të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), heroizmit dhe flijimit të komandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, sot u hap ekspozita e veçantë në Bibliotekën e Qytetit. Ekspozita është dedikuar veprës heroike dhe rënies së tyre në betejat për lirinë e Kosovës, shkruan Katror.info.
Në këtë ekspozitë janë paraqitur materiale nga fondi i Bibliotekës, përfshirë gazeta dhe dokumente të periudhës dhjetor 1991 – mars 1998, që pasqyrojnë ngjarjet historike dhe sakrificën e pashembullt të familjes Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 11 mars 2025. Organizatorët theksuan se ky aktivitet është një mundësi për të kujtuar me nderim dhe përulësi sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Epopeja e UÇK-së, e cila mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, simbolizon rezistencën dhe luftën për liri./Katror.info