Presidenti amerikan, Donald Trump do të publikojë të mërkurën serinë e fundit të tarifave në Shtëpinë e Bardhë, duke kërcënuar se do të nisë një luftë tregtare globale në atë që ai e ka quajtur “Dita e Çlirimit”.
Trumpi ka tronditur tregjet globale të aksioneve, ka alarmuar drejtuesit e korporatave dhe ekonomistët dhe ka shkaktuar tensione me partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, duke shpallur dhe vonuar më pas disa herë planet për të vendosur tarifa mbi importet e huaja që nga marrja e detyrës, raporton The Guardian.
Asnjë detaj i planeve të së mërkurës nuk është bërë i disponueshëm përpara njoftimit. Presidenti do të flasë në orën 16:00 më kohën amerikane. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se zbatimi i tarifave do të jetë i menjëhershëm.
Trumpi i ka bërë të qartë disa objektiva që dëshiron të arrijë përmes tarifave të tij: Të kthejë prodhimin në SHBA, t’u përgjigjet politikave të padrejta tregtare nga vendet e tjera, të rrisë të ardhurat nga taksat dhe të stimulojë goditjen ndaj migracionit dhe trafikut të drogës.
Zbatimi i tarifave të tij deri më tani ka qenë i rastësishëm, me rikthime dhe vonesa të shumta dhe premtime të paqarta që ende nuk janë realizuar. Kërcënimet kanë përkeqësuar marrëdhëniet e SHBA-së me partnerët e saj më të mëdhenj tregtarë. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, i ka quajtur ato “të pajustifikuara” dhe është zotuar të hakmerret. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë se ka një “plan të fortë” për t’u hakmarrë./KOHA/Katror.info