Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025–2028, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së infrastrukturës kritike dhe rritjes së qëndrueshmërisë digjitale të institucionit, shkruan Katror.info.
Strategjia e re është në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së dhe synon krijimin e një kornize të fortë rregullative dhe mbikëqyrëse, e cila adreson në mënyrë efektive rreziqet kibernetike. Përmes kësaj strategjie, BQK-ja synon të forcojë kapacitetet operacionale dhe të garantojë mbrojtjen e sistemeve, infrastrukturës dhe informacionit të saj.
Dokumenti strategjik përcakton vizionin dhe objektivat kryesore të institucionit në fushën e sigurisë kibernetike, përfshirë ndërtimin e kapaciteteve, menaxhimin e rreziqeve, reagimin ndaj incidenteve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mekanizmave të kontrollit. Strategjia përfshin gjithashtu një plan veprimi trevjeçar me masa konkrete për zbatimin e saj.
Gjatë hartimit të strategjisë janë marrë parasysh rekomandimet e Bankës Botërore dhe konsultimet me institucione dhe ekspertë ndërkombëtarë. BQK ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kornizës rregullative.
Përmes kësaj strategjie, BQK-ja synon të sigurojë përputhshmëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare në fushën e sigurisë së informacionit dhe të mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit të saj ligjor dhe objektivave strategjike në funksion të stabilitetit financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit financiar në Kosovë./Katror.info