Muzika e Bruce Springsteen duket se vjen nga një kuptim intuitiv i shtypjes, shfrytëzimit njerëzor dhe jetës në margjina. Si një multimilioner, Springsteen, sipas çdo përkufizimi marksist, nuk është më klasë punëtore, por ai është nga klasa punëtore dhe kuptimi i tij për kompleksitetin dhe kontradiktat e jetës së klasës punëtore e kapërcen statusin e tij ekonomik.
Më 1976 Springsteen atëbotë 26 vjeçar zbulon se nga tre albumet e para të tij, që ishin ndër më të shiturit e asaj kohe, sidomos nga albumi “Born to Run”, nuk ka përfituar gati asnjë dollarë për shkak të mashtrimeve dhe manipulimeve të menaxherëve dhe producentëve të tij.
Springsteen nga fillimet e veprimtarisë së tij ka trajtuar problemet e amerikanëve të rëndomtë, por nga kjo përvojë dhe fakti se ai vinte nga familje e klasës punëtore, puna e tij merr një ndjeshmëri të pakufishme për ata që e kanë jetën e rëndë, duke mbijetuar nga një ditë në tjetrën, nga babai i tij dhe kolegët e tij të fabrikës “jashtë portës së kryepunëtorit, me vdekjen në sytë e tyre dhe zemrat e mbushura me urrejtje” deri te punonjësja e seksit me sy të trishtuar në këngën “Candy’s Room”, këngë e cila vë përballë një solo muskuloze të zhurmshme në kitarë të E Street Band, në kontrast të vargjeve delikate që trajtojnë Candy-n me butësi dhe ndjeshmëri.
Kjo ndjeshmëri shtrihet edhe tek ata që nuk mund të punojnë, në “Streets of Philadelfia” (Rrugët e Filadelfias), Springsteen arrin të përshkruajë një karakter, një pacient me AIDS, duke hequr dorë nga vullneti për të jetuar.
Këngët e tij kapin dëshpërimin dhe tjetërsimin e përditshëm të jetëve në nivelet vartëse të procesit prodhues dhe të jetëve të jetuara përtej qarkut të kapitalit. Ai nuk bazohet në ndonjë nocion romantik të punëtorëve – njerëzit që punojnë në këngët e Springsteen marrin vendime të këqija si në këngën “The River”(‘E lashë Merin shtatzënë, dhe kjo ishte e tëra që ajo më shkroi’) dhe kalon në kriminalitet dhe mjerim. (Ishte një bankë e vogël e qytetit, ishte një rrëmujë/Epo unë kisha një armë, mandej ju e dini si shkoi puna), thotë me hidhërim protagonisti i këngës “Highway 29”.
Në fillim të viteve 80, Springsteen i quajtur tani më “The Boss” në botën e muzikës, kundërshtonte kapitalizmin neo-liberal të sapolindur që çoi në deindustrializimin dhe shpërbërjen sistematike të komuniteteve të klasës punëtore. (Kam kërkuar një punë, por është e vështirë të gjesh), këndon gangsteri i dënuar në këngën “Atlantic City” (Këtu ka vetëm fitues dhe humbës, dhe mos u kapni në anën e gabuar të kësaj linje).
“Born In The USA” më 1985 i vlerësuar si një nga albumet më të mëdhenj në histori është dëshmi se si shteti, kombi dhe shoqëria mund të glorifikohen edhe duke u kritikuar për të metat dhe keqbërjet saj.
“Born in the USA” këngë titullare e albumit që trajton gjendjen e mjerueshme të veteranëve amerikanë nga lufta në Vietnam e sfidon edhe Ronald Regan që të përfolë në fushatën për mandatin e tij të dytë për president duke interpretuar këngën si tiradë kundër trajtimit të ish-luftëtarëve, si valëvitje e flamurit amerikan, si këngë patriotike. Kënga “My Hometown” (Vendlindja ime) përshkruan historinë e një qyteze nga trazirat racore, problemet klasore e deri te mjerimi dhe migrimi i brendshëm i klasës punëtore gjatë krizës ekonomike. Nuk ka album që i ka adresuar problemet e shtetit dhe shoqërisë amerikane më mirë se “Born In The USA”. Por, megjithatë jashtë Amerikës albumi veç sa e bën Amerikën më atraktive, ndërsa brenda i bën amerikanët krenarë që janë amerikanë.
Sipas shkrimtarit politik Peter Dreier, marketingu i Springsteen si “një roker shumë muskulor me një kopertinë albumi me një flamur gjigant amerikan, mund të ketë lënë në hije politikën radikale të albumit.” Matty Karas kritike e famshme e muzikës asokohe e konsideroi atë si një album thelbësor që ishte gjithashtu një distilim i përsosur i zemërimit dhe hidhërimit që vlonte nën sipërfaqen e Amerikës së epokës së Reganit.
Një dekadë më vonë te këngët e Springsteen vërehet edhe zhgënjimi i ëndrrës amerikane dhe lidhjen e saj të natyrshme me kapitalizmin. Kjo është më e dukshme në këngën “The Ghost of Tom Joad” (Shpirti i Tom Joad) të vitit 1995, karakter nga romani “Vilet e Hidhërimit” nga John Steinback, me vargjet (“Vargu i strehimoreve pas çdo këndi – mirë se erdhët në rendin e ri botëror”). Dhe në fund me vargjet tronditëse:
“Nënë, kudo që ka një polic që rrah një njeri,
Kudo që qan një foshnjë e porsalindur në uri,
Ku ka një luftë kundër gjakut të urrejtjes përreth,
Aty më kërko, nënë, aty do të jem”
Kudo që dikush lufton për një copë vend,
Një copë ndihmë ose punë të denjë,
Kudo që dikush po lufton për të qenë i lirë,
Shiko në sytë e tyre nënë dhe mu do të më sheh”.
Ky është Springsteen duke kanalizuar shkrimtarin e famshëm Steinbeck, por edhe duke kanalizuar llojin e protagonistit që ai ndoshta do të donte të ishte.
Ashtu si me pjesën më të madhe të kundër-kulturës amerikane, ishte tek ai një paaftësi për të kaluar në antikapitalizëm të plotë. Ai i afrohet, ndoshta kritikës ndaj kapitalizmit më së shumti në këngën ‘Youngstown’ (‘Historia është gjithmonë e njëjtë/Shtatëqind ton metal në ditë/Tani zotëri më thoni se bota ka ndryshuar/Një herë të bëra mjaftë të pasur/aq të pasur sa e harrove emrin tim)’.
Dhe 6 vite më vonë më 11 shator 2001 ndodhin sulmet terroriste në SHBA. Kjo ndikon edhe në veprimtarinë e menjëhershme të Springsteen.
Ndoshta, asnjë muzikant, regjisor apo autor nuk mund të kapë me të vërtetë emocionin dhe humbjen e vërtetë të njerëzve që u ndikuan personalisht nga ngjarjet tragjike të 11 shtatorit. Por, Springsteen iu afrua goxha.
Më 21 shtator 2001, Springsteen performoi debutimin kombëtar të këngës së tij “My City of Ruins” (Qyteti imë i gërmadhave) në një speciale televizive. Ishte shkruar për Asbury Park, por mori një ton tjetër pas sulmeve të 11 shtatorit. Ky ton vazhdoi në “The Rising” (Rritja), albumin e tij të vitit 2002 me E Street Band dhe producentin e ri Brendan O’Brien, i cili peshoi pasojat e sulmeve dhe ndikimet e tyre. I realizuar më 30 korrik 2002, pak para përvjetorit të sulmeve, “The Rising” i Bruce Springsteen mori ngjarjet rreth 11 shtatorit dhe i ktheu ato në këngë poetike që tregonin histori nga këndvështrimi i viktimave, familjeve dhe heronjve, jetët e të cilëve u ndryshuan përgjithmonë në atë ditë fatale.
Ndërkohë që historitë e treguara në “The Rising” janë ndonjëherë zemër thyese dhe melankolike, albumi gjithashtu ngjall ndjenja shprese dhe optimizmi. Springsteen portretizoi ndjenjën e humbjes që u ndje nga familjet e viktimave në këngët si “Lonesome Day” (Ditë vetmie) dhe “You’re Missing” (Ti ke humbur) Meloditë e tjera si “My City of Ruins” (Qyteti im i gërmadhave) dhe “Waitin’ on a Sunny Day” (Duke pritur një ditë me diell) u shkruan para 11 shtatorit, por morën kuptime të ndryshme dhe përshtateshin në mënyrë harmonike me pjesën tjetër të këngëve në album.
Duke filluar në turneun Rising, Springsteen u bë një kritik i vendosur i qeverisë së SHBA-së, veçanërisht në lidhje me Luftën e Irakut. Këto zhvillime arritën kulmin me pjesëmarrjen e tij në turneun Vote for Change 2004 në mbështetje të kandidatit presidencial demokrat John Kerry. Turneu solo i Springsteen në vitin 2005, pas publikimit të albumit “Devils and Dust” (Djajtë dhe pluhuri) dhe që përkoi me festimin e 30-vjetorit të Born to Run, eksploroi thellësinë e plotë të katalogut të këngëve të tij – në këtë pikë ai vazhdoi kundërshtimin e tij ndaj politikave të administratës Bush.
Edhe pse mesazhe të ndryshme ideologjike u dëgjuan në këngët e tij, deklaratat e mëparshme shoqërore të Springsteen në të vërtetë nuk ishin aq shumë politike sa morale. Ai bëri çmos që të mos mbante anë, dhe kjo është një nga arsyet pse puna e tij me kandidatët demokratë për president, John Kerry në 2004 dhe Barack Obama në 2008, i befasoi kaq shumë fansat e tij politikisht konservatorë. Springsteen përgjithësisht shmangte emërtimin e emrave edhe në komentet edhe në skenë. Edhe tekstet e tij kishin të bënin me një etikë, tmerret e luftës, varfërisë, racizmit dhe humbjes së respektit për veten, që kishte pak të bënte me politikën elektorale.
Në verën pandemike 2020 Springsteen bën një seri bisedash të sinqerta me ish presidentin Barak Obama të cilat emitohen si podkaste në disa episode ku veçmas ata trajtojnë përvojat e tyre me racizmin si edhe muzikën. Ndërsa diskutojnë jetën dhe karrierën e tyre, filli i përsëritur i bisedave të tyre është një pasion i përbashkët, dashuria për vendin e tyre, pavarësisht të metave dhe historisë së trazuar dhe betejave aktuale.
Bruce Springsteen ka realizuar 21 albume për të cilët thuhet se nuk kuptohet Amerika drejt nëse nuk i dëgjon këto albume. Ai ka realizuar 17 turne koncertesh globale, koncerte të cilat kanë zgjatur mbi tre orë duke u shndërruar në festë gjithë popullore.
Springsteen ka shitur më shumë se 140 milionë disqe në mbarë botën duke u bërë një nga artistët më të shitur në botë. Ai ka fituar çmime të shumta për punën e tij, duke përfshirë 20 çmime Grammy, dy Golden Globes, një Academy Award Oscar dhe një Special Tony Award.
Springsteen u përfshi si në The Songwriters Hall of Fame ashtu edhe në Rock and Roll Hall of Fame më 1999, mori nderimet e Qendrës Kennedy në 2009, u emërua personi i vitit MusiCares në 2013, dhe iu dha Medalja Presidenciale e Lirisë nga Presidenti Barack Obama në 2016. Në maj 2021, Springsteen u bë marrësi i tetë i çmimit Woody Guthrie, një çmim që nderon një artist që flet për drejtësinë sociale dhe vazhdon shpirtin e këngëtarit popullor. Në Mars 2023, Springsteen mori Medaljen Kombëtare të Arteve 2021 nga Presidenti Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë./Katror.info