Në një atmosferë pozitive dhe me pjesëmarrje të gjerë në Prishtinë, u mbajt ceremonia zyrtare e lansimit të Kartës Rinore Evropiane (EYCA) në Kosovë. Ky është një zhvillim i rëndësishëm për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, duke i hapur rrugën për më shumë përfshirje evropiane dhe qasje në mundësi të reja, shkruan Katror.info
Me anëtarësimin në EYCA, Kosova bëhet shteti i 36-të pjesë e këtij rrjeti evropian, i cili përfshin mbi 9 milionë të rinj nga e gjithë Evropa. Karta ofron përfitime konkrete si zbritje në transport, kulturë, edukim, arsim dhe aktivitete të ndryshme rinore – si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
Ceremonia mblodhi figura kyçe institucionale dhe përfaqësues të organizatave zbatuese, përfshirë Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, përfaqësuesen e EYCA-së Corina Pirvulescu, drejtues lokalë të projektit dhe partnerë nga sektori privat, të cilët nënvizuan rëndësinë e mobilitetit dhe ndërlidhjes së të rinjve të Kosovës me moshatarët e tyre në Evropë.
Në adresimet e tyre, u theksua rëndësia e përfshirjes së të rinjve të Kosovës në rrjetin evropian përmes mobilitetit, shkëmbimeve kulturore dhe pjesëmarrjes në aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin personal dhe profesional.
Megjithatë, përderisa lansimi u prit me entuziazëm, mbetet sfidë zbatimi i suksesshëm në praktikë, veçanërisht në sigurimin e qasjes së barabartë për të gjithë të rinjtë në zonat rurale dhe informimin e tyre për përfitimet që karta ofron. Pjesëmarrës të shoqërisë civile apeluan për angazhim të qëndrueshëm dhe mbështetje afatgjate nga institucionet dhe sektori privat.
Karta Rinore Evropiane tashmë është aktive dhe e disponueshme për të rinjtë në të gjithë territorin e Kosovës. Për më shumë informata dhe aplikim, të interesuarit mund të vizitojnë faqen zyrtare: www.kartarinore.com
/Katror.info