Pivotja e Kombëtares së Kosovës, Dafina Mustafa, do të bëjë një hap të ri në karrierën e saj, duke iu bashkuar skuadrës zvicerane Yellow Winterthur pas përfundimit të këtij sezoni, shkruan Katror.info.
Mustafa, 21-vjeçare, aktualisht është pjesë e Kreuzlingenit, ku u transferua verën e kaluar nga LC Bruhl. Me paraqitjet e saj të mira, veçanërisht në mbrojtje, ajo ka treguar progres të vazhdueshëm si në nivel klubesh ashtu edhe me Kombëtaren e Kosovës.
Në përfaqësuese, Mustafa u shqua sidomos në ndeshjet kundër Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës vjeshtën e kaluar, duke konfirmuar rëndësinë e saj për ekipin kombëtar.
Yellow Winterthur, aktualisht në vendin e dytë në kampionatin zviceran, synon të forcojë radhët e saj me këtë përforcim, ndërsa Mustafa ka shprehur ambicien për të ndihmuar skuadrën e re dhe për të vazhduar të dëshmojë vlerat e saj në arenën ndërkombëtare./Katror.info