Fondacioni Federal Gjerman për Mjedisin (DBU) ka shpallur thirrjen për aplikime për bursa të dedikuara mbrojtjes së ambientit dhe ruajtjes së natyrës. Ky fondacion, i themeluar nga Republika Federale e Gjermanisë në vitin 1989, është fondacioni më i madh mjedisor në Evropë dhe ofron çdo vit 60 bursa për të diplomuarit e nivelit master dhe studentët e doktoratës nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshirë Kosovën.
Bursat janë të hapura për kandidatët nga të gjitha disiplinat akademike, përfshirë shkencat natyrore, inxhinierinë, si dhe shkencat sociale dhe humane. Të diplomuarit e nivelit master, ata që janë afër diplomimit, si dhe studentët e doktoratës, janë të ftuar të aplikojnë.
Fituesit e bursave do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi profesionale dhe të kontribuojnë në zgjidhjen e sfidave mjedisore, me fokus në zbatimin e këtyre njohurive në vendet e tyre të origjinës.
Afati i fundit për aplikime është 5 marsi 2025, ndërsa më 20 janar 2025, në orën 17:00, do të zhvillohet një sesion informues online për të gjithë të interesuarit.
Derisa deri më tani 29 të diplomuar nga universitetet kosovare kanë përfituar nga bursat e DBU-së, ky program mbetet një mundësi e vyer për të rinjtë e talentuar që dëshirojnë të kontribuojnë në mbrojtjen e ambientit dhe të avancojnë karrierën e tyre akademike dhe profesionale./Katror.info