Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK), përmes koordinatorit të saj për Holandën, Albert Telaku, ka prezantuar para një numri të madh të bizneseve holandeze potencialin investues që ofron Kosova. Ky promovim është bërë në kuadër të ngjarjes ndërkombëtare “MVO 2025 – Plan B in One Day”, e cila u mbajt në qytetin e Utrecht-it, shkruan Katror.info.
Sipas njoftimit të lëshuar nga DhTIK, bizneset pjesëmarrëse janë informuar mbi klimën e investimeve dhe përparësitë konkurruese të Kosovës në një sërë sektorësh ekonomikë, duke përfshirë industrinë përpunuese, teknologjinë, bujqësinë dhe turizmin.
“Promovimi i Kosovës në Holandë vjen në një periudhë kur shumë biznese holandeze po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit ose zhvendosjes së operacioneve të tyre, për shkak të kostove të larta, ligjeve të reja të pafavorshme, rritjes së çmimeve të energjisë, taksave dhe pasigurisë ekonomike,” thuhet në njoftim.
Këto zhvillime kanë nxitur një interes në rritje të bizneseve holandeze për tregjet e Ballkanit Perëndimor, me fokus të veçantë në Kosovë, si dhe në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. DhTIK vlerëson se kjo është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe për të tërhequr investime të huaja që ndihmojnë zhvillimin e qëndrueshëm të vendit./Katror.info