Sot, më 13 shkurt, bota shënon Ditën Botërore të Radios, një datë e caktuar nga UNESCO në vitin 2011 për të nderuar radion si një mjet komunikimi që ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kyç në informimin, edukimin dhe argëtimin e publikut, shkruan Katror.info.
Në një epokë të dominimit të rrjeteve sociale dhe mediave digjitale, radioja ka dëshmuar se është mjet i fuqishëm që përcjell njerëzit gjatë dinamikës së tyre të përditëshme për shpërndarjen e lajmeve të verifikuara, promovimin e kulturës dhe mbështetjen e lirisë së shprehjes.
Radioja në Kosovë – Nga e kaluara deri sot
Në Kosovë, radioja ka pasur histori të rëndësishme dhe ka qenë një ndër platformat kryesore të informimit të qytetarëve për dekada. Radio Prishtina, e cila u themelua në vitin 1945 si pjesë e sistemit të Radiotelevizionit të Jugosllavisë, ishte media e parë radiofonike në vend.
Për vite me radhë, ajo ishte burimi kryesor i informacionit, veçanërisht në gjuhën shqipe, duke shërbyer si një dritare për kulturën, letërsinë dhe muzikën shqipe.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999), Radio Kosova e Lirë luajti një rol kyç në shpërndarjen e informacionit dhe komunikimin me popullsinë në kushte të vështira. Pas përfundimit të luftës, me mbështetjen e administratës ndërkombëtare, Radio Kosova u krijua si pjesë e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), duke vazhduar traditën e informimit publik.
Sot, Kosova ka një peizazh të pasur radiofonik, me dhjetëra stacione private dhe publike që ofrojnë një gamë të gjerë programesh, nga lajmet dhe debatet politike deri te muzika dhe emisionet edukative.
Në Ditën Botërore të Radios, vlerësohet kontributi i këtij mediumi në forcimin e demokracisë, lirisë së fjalës dhe informimit të qytetarëve, duke riafirmuar rëndësinë e saj edhe në epokën e teknologjisë moderne./Katror.info