Organizata joqeveritare EC Ma Ndryshe ka lansuar platformën online për muzetë e Kosovës, duke ofruar një hapësirë digjitale për të promovuar dhe bërë më të qasshme informacionet për muzetë e vendit, shkruan Katror.info.
Platforma, e cila është tashmë aktive dhe e qasshme për publikun në adresën muzeu.info, përmban informacione të detajuara për muzetë në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Gjakovë. Vizitorët mund të gjejnë të dhëna mbi llojin e muzeut, artefaktet e ekspozuara, lokacionin, orarin e punës, kontaktet, dhe më shumë.
Kjo platformë synon të promovojë trashëgiminë kulturore të Kosovës, të rrisë numrin e vizitorëve, të lehtësojë orientimin e turistëve dhe të sigurojë digjitalizimin e të dhënave për muzetë.
“Përmes saj synohet promovimi i muzeve të Kosovës, rritja e numrit të vizitorëve, orientimi më i lehtë i turistëve, sikurse edhe digjitalizimi i të dhënave të hulumtuara. Platforma në mënyrë të vazhdueshme do ta pasurohet me informata të duhura për muzetë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ky aktivitet është realizuar si pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës.
Lansimi i platformës shënon një hap të rëndësishëm për të sjellë më afër qytetarët dhe turistët me trashëgiminë kulturore të Kosovës, duke ofruar një qasje moderne dhe të lehtë për të eksploruar historinë dhe kulturën e pasur të vendit./Katror.info