Konferenca tërëditore për ekonominë kreative ka ardhur në frymën siç është paralajmëruar: të zgjerojë dialogun mbi mundësitë dhe sfidat kryesore të zhvillimit të sektorit kreativ në Kosovë, si dhe të ndajë përvoja dhe ide për krijimin e një mjedisi që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme. Industria kreative kontribuon me mbi 5 për qind të të punësuarve, por mund të rritet edhe më me politika shtetëror si puna e një strategjie të ekonomisë kreative, shkruan KOHA.
Është një term i ri, i paeksploruar sa duhet, por ekonomia kreative konsiderohet si një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit. Në rastin e Kosovës – një potencial i fjetur. Por për ta “zgjuar” atë, institucionet shtetërore tok me partnerë ndërkombëtarë e kanë marrë me seriozitet nismën si kjo.
Industria kreative kontribuon me mbi 5 për qind të të punësuarve, por mund të rritet edhe më me politika shtetëror si puna e një strategjie të ekonomisë kreative, hartimi i së cilës tashmë ka nisur.
Konstatime si këto kanë dalë në “Konferencën për ekonominë kreative” të mbajtur të martën në Prishtinë. “Perspektiva në ndryshim: Krijuesit në krye të ndryshimit ekonomik”, ka qenë nëntitulli i kësaj ngjarjeje tërëditore, e ndarë në tri panele të ndryshme diskutimi me akterë të industrisë kreative. U ka paraprirë hapja solemne, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësues diplomatikë në vend.
Konferenca ka ardhur në frymën siç është paralajmëruar: të zgjerojë dialogun mbi mundësitë dhe sfidat kryesore të zhvillimit të sektorit kreativ në Kosovë, si dhe të ndajë përvoja dhe ide për krijimin e një mjedisi që nxit bashkëpunimin, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme. Vjen pas panelit të tetorit “Ekonomia kreative në perspektivë” me nëntemën “Potenciali kreativ, motor i zhvillimit të qëndrueshëm social dhe ekonomik në Kosovë”.
Pasi ka folur me shifra që ilustrojnë në nivel botëror kontributin e ekonomisë kreative në vende të zhvilluara, kryeministri Kurti ka thënë se kjo temë po merr vëmendje institucionale çdo ditë e më shumë.
“Edhe pse si term shumë i ri, ky koncept ka një kohë që vërteton me shifra shumë serioze, që talenti krijues ndikon shumë në zhvillimin dhe ngritjen e ekonomisë”, ka thënë kryeministri Kurti. Ka rikujtuar hartimin në proces të strategjisë për ekonominë kreative me një përfshirje të gjerë të institucioneve publike. Por në rastin e Kosovës shifrat dëshmojnë edhe tjetër gjë.
“Këto shifra na rikujtojnë se ky potencial i fjetur duhet zgjuar dhe duhet stimuluar për të dhënë rezultatet e tij edhe brenda ekonomisë sonë. Për këtë arsye, Qeveria e Republikës së Kosovës po ndjek trendët e shteteve të zhvilluara, që kanë hartuar e adaptuar politika zhvillimore për ekonominë kreative, duke u siguruar që të krijohet hapësira dhe kushtet e nevojshme për zhvillim sa më të hovshëm të ekonomisë kreative”, ka thënë kryeministri Kurti.
Jonathan Hargreaves, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, në hapje të konferencës ka thënë se Kosova e ka bazën për zhvillimin e ekonomisë kreative, e që është demokracia.
“Kosova ka një potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar një ekonomi, sepse ka popullsi brilante, kreative, pa dallim gjinie, e kam fjalën për burra dhe gra dhe keni oreks për bashkëpunim kulturor edhe jashtë kufijve të vendit. Një nga ngjarjet më të mëdha është edhe ‘Sunny Hill Festival’. Arsyeja e dytë pse kjo është e rëndësishme ka të bëjë thjesht me ekonominë, dhe për këtë jemi duke punuar ngushtë me kryeministrin dhe me ministrin e Kulturës dhe me ‘British Council’, pa e përjashtuar edhe Ambasadën britanike”, ka thënë ai, përderisa praninë e institucioneve dhe të ambasadave edhe në një konferencë si kjo e ka konsideruar si shenjë pozitive për sukses.
Eric Dietz, ambasador i Dukatit të Madh të Luksemburgut, ka thënë se në botën e sotme kreativiteti është shumë më i gjerë sesa kultura, gjigant i inovacionit, “një mundësi për rritje ekonomike dhe bashkimi mes traditës dhe modernitetit”.
“Kreativiteti përfshin dizajnin, artin, muzikën, filmin, arkitekturën, mediat digjitale dhe shumë fusha të tjera. Kosova është një vend i pasur me moshën më të re në Evropë. Me të rinj të motivuar dhe të talentuar që mund të përkthehen në kreativitet dhe me mundësi të bëjnë ndryshimin. Kosova vlon nga muzika dhe arti edhe në rrafshin global, siç janë Dua Lipa dhe Rita Ora, janë testament i një talenti të mrekullueshëm në këtë vend”, ka thënë ai. Ka përmendur si shembull festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që, sipas tij, tashmë është shndërruar në një industri të filmit dhe turizmit.
Kur përmendet ekonomia kreative, ndër të parët emra që lidhet me të është John Newbigin. Konsiderohet si pionier në këtë fushë dhe ka shënuar rezultate jo vetëm në Britani të Madhe, por edhe në vende të tjera. Ai është kryesues i Këshillit Global për Ekonominë Kreative dhe ambasador i kryetarit të Londrës për Ekonominë Kreative. Ka qenë njëri prej personazheve kryesore në hapje të konferencës. Ai ka thënë se rezultati i Ekonomisë Kreative është i varur nga talenti dhe imagjinata. Por ka një kusht që ato të dalin në pah.
“Të gjithë e dimë se është talenti gjithandej, por çfarë mund të themi është se mundësia nuk është gjithandej. Kështu që puna e Qeverisë dhe puna e krijimit të njerëzve në ekonominë kreative është të bashkohen talenti dhe mundësia”, ka thënë ai. Por, siç shkruhet edhe në prezantimin e konferencës, sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet ekonomia kreative në vend janë mungesa e financimeve për artistët e rinj, mbrojtja e të drejtave të autorit, e të tjera.
“Nëse mbështetet dhe zhvillohet me strategji të qëndrueshme, ekonomia kreative ka potencialin të jetë baza mbi të cilën ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e barabartë dhe më inovative”, shkruhet në përshkrim.
E, Kosova, sipas Newbigin, ka avantazhet e një vendi të vogël ku mund të punohet në ekonomi relativisht të vogël ku shoqëria është kompakte.
Akterët e atyre që janë përmendur si shembuj suksesi e potencial janë bërë bashkë në tri panelet pas hapjes së konferencës.
“Ngritja e profilit ndërkombëtar të Kosovës”, ka qenë tema e panelit të parë, pasur nga ani në temat ”Fuqizimi i produkteve dhe shërbimeve kreative në Kosovë” dhe “Roli i qeverive në zhvillimin e një ekonomie kreative të qëndrueshme”.
Shpat Begolli nga “Sunny Hill Festival” ka prekur pikërisht temën e ngritjes së profilit ndërkombëtar të Kosovës. Ka thënë se sikur të përkthehej në para, reklama që ky festival kap vlerën është 235 milionë dollarë. “Këtë vit në ‘Sunny Hill’ kemi pasur pjesëmarrës prej 45 vendeve të ndryshme dhe në një hulumtim që është bërë 15 për qind kanë ardhur vetëm për ‘Sunny Hill’. Kemi edhe disa prej mediave më prestigjioze në botë, të cilat kanë shkruar për Festivalin. Kemi bërë gjithashtu një matje të dukshmërisë dhe në vitin 2022 kemi pasur rreth 10 miliardë impression që janë të matura në formë digjitale dhe TV, ndërsa si vlerë e reklamimit në qoftë se do të paguheshin këto vlera do të shkonin diku 235 milionë dollarë”, ka thënë Begolli, drejtor i operacioneve “Sunny Hill Festival” i cili përherë e ka theksuar se synim më vete prej themelimit është ngritja e imazhit të Kosovës.
Në këtë imazh kontribuojnë edhe artistët individualisht. Pjesëmarrja në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia ka peshë në këtë mes. Kuratorja Hana Halilaj ka folur si komisionere e Pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e Venecias, e cila sivjet ka mbajtur edicionin e 60-të. Ka zbërthyer veprën e Doruntina Kastratit kuruar nga Erëmirë Krasniqi me titullin “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës”, dhe kumbimin që ka pasur ky prezantim në skenën ndërkombëtare. Pavijoni i Republikës së Kosovës në prillin e sivjetmë mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ngjarjen e madhe.
Rrëfimin për potencialin e kulturës e të filmit në veçanti, regjisorja Blerta Basholli e ka të gatshëm. Ajo çoi zërin e Kosovës deri në “Oscars”.
“Kur flas për filmin ‘Zgjoi’ nuk flas vetëm për veten, por ka qenë një ekip që ka punuar shumë që ky film i vogël të arrijë ta ketë vëmendjen e një publiku goxha të madh. Filmi ka filluar rrugëtimin me Festivalin e Sundance, ku ka marrë tri çmimet kryesore, gjë që ka bërë edhe histori dhe i ka bërë një publicitet filmit, dhe prej aty filmi ka arritur të distribuohet në mbi 50 shtete, duke u shfaqur nëpër kinema të ndryshme nëpër botë, si në Amerikë, Francë, Gjermani dhe në shumë shtete të tjera”, ka thënë ajo. Filmi, sipas saj, i ka bërë një publicitet Kosovës, sepse përveç kinemave edhe shumë gazeta kanë shkruar, jo vetëm për filmin, por edhe për Kosovën si vend.
“Me rëndësi është si ta ndërtojmë dhe ta zhvillojmë këtë momentum të cilin e kemi arritur dhe Kosova të mos shihet si kontekst i izoluar. Qëndrueshmëria e fondeve është diçka që gjithmonë e bën ndryshimin, kur dihet çdo vit cili është buxheti për filmin bëhet edhe një planifikim më i mirë dhe suksesin të cilin e arrijmë, e arrijmë përmes filmit, por gjithmonë duke pasur parasysh se paraprakisht e dimë se me çfarë buxheti mund të operojmë”, ka thënë ajo.
Disenjatoren Krenare Rugova, vendi ku është mbajtur Konferenca e ka kthyer në vitin 2006, ku do të organizonte një sfilatë mode.
“Një prej arsyeve pse kam pasur dëshirë ta organizoj këtu është se gjithmonë kam pasur dëshirë që dizajni i modës të trajtohet njësoj sikur lëmi i arkitekturës. Gjithmonë është nënvlerësuar, është mbajtur si një zanat për disa gra që punojnë disa fustane dhe kur e kuptova që është këtu, më erdhi shumë mirë dhe më vjen shumë mirë që po trajtohet dizajni i modës si një prej industrive kreative”, ka thënë Rugova. Sipas saj, institucionet duhet të kenë ide krijuese për prodhimin e materialeve dhe inovacionit.
Rasti i “DokuFestit” është kapitull më vete. Do të niste si një iniciativë e një grupi miqsh të cilët vullnetarisht synon rritjen e kinemasë. Në verën e ardhshme shënon edicionin e 24-t.
“Është kënaqësi që erdhi dita të flasim për ekonominë kreative sesi mund t’i ndërtojë aktivitetet kulturore e në veçanti festivalet, të cilat tradicionalisht nuk kanë pasur përkrahje institucionale. ‘DokuFesti ka filluar si një iniciativë e një grupi të miqve në mënyrë vullnetare dhe kanë dashur ta rrisin kinemanë në qytet. Ka qenë ndoshta edhe si një qasje shumë naive ‘hajde po fillojmë me disa shfaqje të filmave dhe fillon të punojë kinemaja’”, ka thënë producenti Eroll Bilibani, udhëheqës i “DokuLab”.
Kjo do t’ua dëshmonte potencialin që ka qyteti, dashamirësinë e njerëzve lokalë për të pritur mysafirë edhe në anën tjetër këmbëngulësia e themelueseve të “DokuFestit” të cilët kanë qenë konsistentë në qasjen e tyre ndaj organizimit të festivalit edhe ndaj pavarësisë së programit kuratorial që ka pasur festivali. E, tash është ai që është: një shembull në ekonominë kreative, për të cilën Kosova synon ta hapë një kapitull./Katror.info