Muzikanti legjendar Elton John i ka dhënë lamtumirën audiencës britanike mbrëmjen e së dielës në skenën e festivalit legjendar në Glastonbury, në jugperëndim të Anglisë.
“Kjo është një natë shumë e veçantë dhe emocionale për mua, kjo mund të jetë performanca ime e fundit në Angli, në Britani të Madhe, kështu që dua të bëj mirë”, tha Elton John në fillim të performancës së tij në Glastonbury, shkruan Katror.info.
Pas disa hiteve të mëdha, Elton John zgjodhi hitin e tij të famshëm të vitit 1974 “Don’t Let The Sun Go Down On Me” për t’ia kushtuar mikut dhe legjendës së tij të madhe, këngëtarit George Michael i cili dje do të kishte mbushur 60 vjet.

Eltoni e prezantoi këngën me fjalë prekëse për mikun e tij të ndjerë, i cili vdiq në moshën 53-vjeçare në dhjetor 2016.
“Sot është një ditë shumë, shumë e veçantë dhe po pyes veten se si do ti qasem. Një nga kantautorët më fantastikë britanikë ishte George Michael. Ai ishte shoku im, ishte një frymëzim dhe sot do të ishte ditëlindja e tij e 60-të, ndaj dua t’ia dedikoj këtë këngë. E gjithë muzika që na la është kaq e bukur. Kjo është për ty, George”, tha Elton John.
Më pas, ai hoqi syzet e famshme për të fshirë lotët.
Dhe kjo ishte vetëm një nga surprizat e shumta që Eltoni bëri në skenë në festivalin legjendar, i cili shënoi daljen e tij të fundit në Britaninë e Madhe.
Kënga “Don’t Let The Sun Go Down On Me” është interpretuar shpesh nga George Michael dhe Elton John së bashku. /Katror.info