Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë ditës së sotme, pasi pritet të ketë erëra të forta që mund të shkaktojnë dëme, shkruan Katror.info.
Sipas parashikimeve të motit, shpejtësia e erërave në kryeqytet do të arrijë deri në 32 km/h. Autoritetet komunale kanë dhënë disa rekomandime për të garantuar sigurinë e qytetarëve:
“Për sigurinë tuaj, ju lutemi:
- Shmangni qëndrimin pranë objekteve të larta, pemëve dhe strukturave të paqëndrueshme.
- Siguroni që dritaret dhe dyert e shtëpive apo bizneseve tuaja të jenë mirë të mbyllura.
- Tregoni kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.”
Ndërkohë, si pasojë e motit të ligë, në lagjen Dardania, konkretisht në rrugën “Ilaz Kodra”, një lis është rrëzuar mbrëmë duke dëmtuar katër vetura të parkuara dhe duke bllokuar hyrjen e një parkingu. Banorët e zonës kanë njoftuar policinë për rastin.
Autoritetet apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim derisa situata të stabilizohet./Katror.info