Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës është pranuar si anëtar i Asociacionit Evropian për Edukim në Arkitekturë (European Association for Architectural Education -EAAE), rrjeti më i rëndësishëm evropian i institucioneve akademike të arkitekturës. Lajmi u bë i ditur nga Fakulteti i Arkitekturës përmes një njoftimi në Facebook.
:Ky anëtarësim shënon një hap të madh përpara për Fakultetin tonë dhe për studentët, profesorët dhe komunitetin e arkitekturës në Kosovë. Si pjesë e EAAE, Fakulteti i Arkitekturës tani do të ketë mundësi më të mëdha për: Bashkëpunim ndërkombëtar me fakultete dhe institucione partnere në të gjithë Evropën; Pjesëmarrje në projekte dhe kërkime të përbashkëta në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit; Përfshirje në forume dhe konferenca ndërkombëtare që formësojnë të ardhmen e edukimit në arkitekturë,” thuhet në njoftim.
Në njoftim Fakulteti e cilëson këtë sukses si një dëshmi të përkushtimit të stafit akademik dhe studentëve për të ngritur standardet e edukimit në arkitekturë dhe për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të fakultetit. “Anëtarësimi në EAAE shënon një arritje të rëndësishme për komunitetin akademik në Kosovë dhe një mundësi për të ndikuar në zhvillimin e disiplinës së arkitekturës.”
“Për më shumë informacione mbi EAAE dhe rëndësinë e këtij rrjeti, vizitoni: www.eaae.eu. Urime të gjithë studentëve, stafit akademik dhe bashkëpunëtorëve të Fakultetit të Arkitekturës! Kjo është një fitore për të gjithë ne!’ thuhet në njoftim./Katror.info