Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert të veçantë më 5 prill 2025, duke sjellë para publikut veprat e njërës prej figurave më të rëndësishme të muzikës bashkëkohore, kompozitorit Philip Glass. Koncerti do të mbahet në Atelie-në e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30, shkruan Katror.info.
Nën drejtimin e dirigjentit Gregory Charette, orkestra do të interpretojë Koncertin për Violinë Nr. 2 – “American Four Seasons”, me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Maximilian Haft. Më pas, mbrëmja do të vazhdojë me Simfoninë Nr. 1 – “Low”, një vepër e frymëzuar nga albumi i vitit 1977 i David Bowie-t, “Low”.
Ky koncert ofron një kombinim unik mes minimalizmit muzikor të Glass-it dhe elementeve të rock-ut, duke sjellë një përvojë të veçantë artistike për publikun në Kosovë.
Pjesëmarrja në koncert është falas dhe biletat mund të rezervohen përmes këtij linku: https://bit.ly/41PKMnw.
/Katror.info