Filharmonia e Kosovës do të mbajë koncert sot në Zvicër në kuadër të festimeve në shënim të 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Koncerti madhështor i Filharmonisë së Kosovës në Bernë do të mbahet në sallën e madhe të Kultur Casino Bern, shkruan albinfo.ch.
Në kryeqytetin zviceran të mërkurën shpaloset programi i njëjtë me atë të 27 shkurtit në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Pak ditë para koncertit, të gjitha ulëset janë rezervuar e aty është edhe publiku që ndjek rregullisht programet e “Casino Bern”, shkruan Koha.net.
Ky është rrugëtimi i parë i institucionit muzikor për këtë vit. Koncerti organizohet për nder të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Kosovës nga Ambasada dhe konsullatat e Kosovës në Zvicër. Sikurse në Prishtinë, koncerti nis në orën 19:30 dhe parashihet të përfundojë dy orë më pas. Edhe atje, nën drejtimin e zviceranit Antoine Marguier, Orkestra e solistët me anë të muzikës do të shpalosin kultura të vendeve të ndryshme që gërshetohen bashkë me ato vendore. Po me një të tillë hapet koncerti me “Simfoninë nr. 1” të Rexho Mulliqit. “AlbBalcanica” për saksofon dhe orkestër e Valton Beqirit është vepra tjetër.
Autori i kësaj vepre, kompozitori Beqiri, ka thënë se vepra është ndërtuar me ritmet e popujve të Ballkanit dhe se aty veçohen ato shqiptare.
“Vepra në fakt është e ndërtuar në ritme komplekse të cilat janë të pranishme në të gjithë popujt e Ballkanit, duke prezantuar veçoritë melodike të melosit shqiptar, ndërthurur me thyerjet e shpeshta ritmike, si formë e shkëputjes dhe dallimit nga tërësia ballkanike, dallim ky që mund të kuptohet edhe nga vetë titulli: Alb (shkurtesa në anglisht për shqiptarët ) dhe Balkanika”, ka thënë Beqiri./Katror.info