E përditësuar 13:33
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, e ka ndërprerë sot seancën, duke njoftuar se ajo do të vazhdojë më 19 prill, në orën 12:00.
Dehari tha se vendimi erdhi pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, ku nuk u arrit konsensus për hapat e mëtejmë në procesin e konstituimit të Kuvendit.
***
Filloi seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka nisur sot seancën konstituive, e cila shënon një hap të rëndësishëm drejt formimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të fundit, shkruan Katror.info.
Seanca po udhëhiqet nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa në sallë janë të pranishëm 118 deputetë.
Kryesuesi i seancës konstituive të legjislaturës së IX-të, Dehari, në fillim të seancës i thirri në takim përfaqësuesit e partive politike për konsultim.
“I ftoj përfaqësuesit e partive politike të konsultohemi, në mënyrë që të mos bëjmë ndonjë shkelje të Kushtetutës”, tha ai.
Kjo seancë vjen si vazhdim i përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit, pasi të martën dështoi votimi i raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve – një hap procedural thelbësor për themelimin e legjislaturës së re.
Kujtojmë se pas këtij dështimi, kryesuesi Dehari i është drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani, duke e njoftuar për zhvillimet në seancë dhe kërkuar udhëzime për hapat e ardhshëm.
Presidentja Osmani iu përgjigj me një referencë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K072/20, duke theksuar se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve që burojnë nga vullneti i qytetarëve.
Pritet që gjatë kësaj seance të rishikohet dhe votohet sërish raporti për verifikimin e mandateve, në mënyrë që Kuvendi të mund të vazhdojë me zgjedhjen e kryetarit dhe themelimin e qeverisë së re./Katror.info