Psikologu dhe profesori universitar nga Kosova, Fitim Uka, është emëruar anëtar i bordit redaktorial të “Review of General Psychology” (RGP), një revistë prestigjioze e Divizionit të Parë të Asociacionit të Psikologëve Amerikanë (APA), shkruan Katror.info.
Në një postim në rrjetet sociale, Uka e cilësoi këtë emërim si një nder të madh dhe shprehu krenarinë për përfaqësimin e Universitetit të Prishtinës në mesin e institucioneve më prestigjioze botërore. Ai e konsideroi këtë arritje si një shpërblim për punën e tij dhe një hap për avancimin e psikologjisë në Kosovë.
Aktualisht, Uka është ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, themelues i Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, si dhe botues i revistës psikologjike “Psika”. Ai ka publikuar punime shkencore në revista ndërkombëtare të njohura dhe ka marrë pjesë në mbi 60 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Emërimi i tij në bordin editorial të RGP-së është një njohje e rëndësishme për kontributin e tij në fushën e psikologjisë dhe një hap përpara në promovimin e shkencës psikologjike në Kosovë./Katror.info