Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla, është takuar sot me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, me të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet aktuale në rajon dhe perspektivën evropiane të Kosovës, shkruan Katror.info.
Në takim, Ministrja në detyrë Gërvalla theksoi rëndësinë jetike të rolit të Bashkimit Evropian në ruajtjen e stabilitetit në rajon, por edhe në ofrimin e një vizioni të qartë dhe të drejtë për të gjithë qytetarët e Evropës. Ajo nënvizoi se Kosova duhet të trajtohet si një partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
“Mbështetja për Kosovën nuk mund të jetë vetëm deklarative – ajo duhet të përkthehet në hapa konkretë, përfshirë përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit,” u shpreh Ministrja në detyrë, Gërvalla.
Ajo gjithashtu ritheksoi se një e ardhme e bashkuar evropiane për Ballkanin Perëndimor nuk mund të imagjinohet pa pjesëmarrjen aktive të Kosovës. “Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar,” deklaroi ajo.
Gjatë takimit, Ministrja në detyrë Gërvalla theksoi rolin konstruktiv dhe të palëkundur të Kosovës në promovimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon, duke shtuar se tani është koha për vendime të guximshme dhe për ndërtimin e një vizioni të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij./Katror.info