Skuadra pejane GO+ Peja do të luajë sonte për herë të parë para tifozëve të saj në këtë edicion të Ligës ENBL, ku do të përballet me ekipin bullgar BC Spartak Pleven. Ndeshja zhvillohet në palestrën “Karagaçi”, me fillim nga ora 19:30.
Verdhezinjtë po kërkojnë fitoren e parë në këtë garë ndërkombëtare, pas dy humbjeve në takimet e para ndaj Riga Zelli (72:83) dhe Dubrava (83:98). Pavarësisht fillimit jo të mirë në ENBL, skuadra pejane po kalon një formë të shkëlqyer në kampionatin vendor, ProCredit Superligë, ku ka tri fitore në po aq ndeshje.
Në anën tjetër, BC Spartak Pleven ka treguar forcë në dy xhirot e para të ENBL, duke i fituar të dyja përballjet – ndaj Olomoucko (91:84) dhe Dubrava (83:82).
GO+ Peja synon që sonte ta shfrytëzojë përparësinë e fushës dhe mbështetjen e tifozëve në “Karagaçi”, për të shënuar fitoren e parë në Ligën ENBL dhe për të konfirmuar formën e mirë që po e tregon në arenën vendore./Katror.info









