Në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) është hedhur shorti për edicionin e ri të ProCredit Superligës së Kosovës në basketboll, ku që nga java e parë priten përballje të zjarrta.
Në prani të klubeve pjesëmarrëse dhe mediave, shorti përcaktoi që kampionia në fuqi, Trepça, të përballet me rivalin e saj historik, Pejën, në ndeshjen kryesore të javës së parë.
Po ashtu, nënkampioni Bashkimi do të udhëtojë në Gjakovë për t’u ndeshur me Vëllaznimin, ndërsa dy duele të tjera premtojnë spektakël: Golden Eagle Ylli – Sigal Prishtina dhe Bora – Rahoveci 029.
Ky edicion pritet të jetë ndër më të fortët e viteve të fundit, pasi skuadrat janë përforcuar ndjeshëm dhe kanë shpallur synime të mëdha për titull. Përgatitjet kanë nisur me kohë, duke bërë që gara të paralajmërohet jashtëzakonisht e balancuar dhe me duele të forta në çdo xhiro.
Sezoni i ri i ProCredit Superligës do të startojë më 4 dhe 5 tetor 2025, ndërsa shorti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të FBK-së./Katror.info