Innovation Centre Kosovo (ICK), në bashkëpunim me LuxDev, Agjencinë për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgu, ka lansuar programin “TechEco Pathways”, një nismë dyvjeçare e financuar nga LuxDev, që synon të mbështesë inovacionin dhe qëndrueshmërinë në Kosovë, shkruan Katror.info.
Në kuadër të këtij programi, ICK dhe LuxDev ofrojnë 12 bursa të plota për vajzat nga Kosova në fushën e Sigurisë Kibernetike, përmes programit “TechEco Pathways” i cili do të zgjasë 24 muaj.
“Ky program përfshinë tre (3) aktivitete kryesore: 1) GreeTech – trajnime dhe punë praktike me pagesë në industrinë e TIK dhe Energjisë së Ripërtëritshme; 2) DevelopHer – ngritja e aftësive për vajzat dhe gratë në programim, siguri kibernetike, dhe industri kreative; dhe 3) Innovation Challenges – garat inovative për ruajtjen e energjisë, efiqiencës, “smart cities”, dhe ruajtjes së ambientit”, thuhet në njoftimin e ICK.

Afati i fundit për aplikim është 23 janar 2025. Pas aplikimit, kandidatët do të ftohen për një test me shkrim që do të mbahet më 25 janar në ambientet e ICK-së. Rezultatet do të publikohen po atë mbrëmje, ndërsa ligjëratat do të fillojnë më 27 janar.
Kjo nismë synon të adresojë mungesën e aftësive në sektorët e energjisë së ripërtëritshme dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Kosovë, duke kontribuar në rritjen ekonomike të qëndrueshme dhe zhvillimin e industrisë vendore.
Ky program mbështetet nga projekti “Shkathtësi për punësim të qëndrueshëm në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i cili zbatohet nga LuxDev, Agjencia për Bashkëpunim Zhvillimor e Luksemburgut./Katror.info