Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar arritjet e futbollit kosovar, duke theksuar se pozicionimi i Kosovës në Top 100 të Ranglistës së FIFA-s është rezultat i punës së palodhshme dhe përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë ky sport në vend.
Përmes një video-konference, gjatë ndejës së fundvitit të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, Infantino ka shprehur mbështetjen e tij për zhvillimin e futbollit kosovar. shkruan Telegrafi
“Që kur iu bashkua FIFA-s në maj të vitit 2016, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj përpara në futboll. Ky ka qenë një vit i shkëlqyer për ekipet e meshkujve dhe femrave, të cilat aktualisht janë në Top 100 të renditjes, duke arritur pozicionet më të larta ndonjëherë. Kjo sigurisht nuk është arritur rastësisht, por është rezultat i punës fantastike nga presidenti Agim Ademi dhe të gjithë ju”, ka thënë ai.
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka përfunduar vitin 2024 në vendin e nëntëdhjetë e nëntë me 1219 pikë në ranglistën e FIFA-s.
Në ranglistën e fundit të përditësuar të enjten, edhe Kombëtarja e Shqipërisë ka ruajtur pozicionin e saj. “Kuqezinjtë” renditen në vendin e gjashtëdhjetë e pestë me 1375 pikë.
Ndërkohë, Argjentina vazhdon të jetë në krye të botës. Kampionët e Botës dhe të Copa America kanë ruajtur vendin e parë në renditjen e FIFA-s për vitin 2024 për të dytin vit radhazi. Ekipi i drejtuar nga Lionel Scaloni, që ka triumfuar në Copa America këtë vit, kryeson para Francës në vendin e dytë dhe Spanjës, fitueses së Euro 2024, në vendin e tretë./Katror.info