Në vitin 2024, Grupit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) i është angazhuar një fond i konsiderueshëm prej 693 milionë eurosh për projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Ky financim përfshin projekte të lidhura me sigurinë e energjisë, transportin e qëndrueshëm, masat për klimën, zhvillimet digjitale dhe kapitalin njerëzor. Nga këto fonde, janë nënshkruar 527 milionë euro në kredi, 164 milionë euro në grante përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (KIBP) dhe 2 milionë euro përmes Iniciativës për Qëndrueshmëri Ekonomike të BEI-së, shkruan Eib.org, përcjell Katror.info.
Pjesa më e madhe e nënshkrimeve të reja janë dedikuar sektorëve të transportit të qëndrueshëm (43%), energjisë së pastër (31%, një përqindje rekord) dhe sektorit privat (20%). Zëvendëspresidenti i BEI-t, Robert de Groot, ka theksuar se BEI është plotësisht e përkushtuar për të mbështetur të gjitha vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe se arritja e një konvergjence më të lartë me BE-në kërkon reforma dhe investime të rëndësishme.
Mbështetje për projekte të energjisë
Një pjesë e rëndësishme e financimit është orientuar nga sektorët e energjisë dhe klimës. BEI ka ofruar kredi prej 213 milionë euro për rehabilitimin e hidrocentraleve dhe instalimin e matësve të avancuar të energjisë elektrike në Serbi. Po ashtu, BEI ka financuar ndërtimin e një prej termocentraleve më të mëdha diellore në afërsi të Prishtinës në Kosovë, një projekt që do të sigurojë energji për më shumë se 29,000 familje dhe do të reduktojë 174,000 tonë emetimet e dioksidit të karbonit në vit.
Përkushtimi për një tranzicion të gjelbër dhe qëndrueshmërinë ekonomike
Si banka e BE-së për klimën, BEI ka intensifikuar përpjekjet për të mbështetur një tranzicion të gjelbër në rajon, duke u angazhuar për dekarbonizimin e ekonomive rajonale dhe sigurimin e sigurisë energjetike. Pjesë e këtij angazhimi është programi këshillues për financat e gjelbra në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, që ka për qëllim përmirësimin e menaxhimit të rrezikut klimatik nga bankat dhe inkurajimin e investimeve të gjelbra.
Lidhja e qëndrueshme dhe përmirësimi i transportit
BEI vazhdon të mbështesë sektorin e transportit me financime të reja që kapin vlerën e 295 milionë euro. Këto financime përfshijnë projekte për rehabilitimin e seksioneve hekurudhore në Mal të Zi dhe Shqipëri, si dhe ndihmën për ndërtimin e një seksioni të ri të Korridorit Vc në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përmirësimet në infrastrukturën e transportit të qëndrueshëm janë të fokusuar në rritjen e efikasitetit, sigurisë dhe kapacitetit të rrjetit të transportit.
Krijimi i vendeve të punës dhe mbështetje për sektorin privat
Në vitin 2024, BEI ka investuar 151 milionë euro për të mbështetur zhvillimin e kompanive të vogla dhe mesme në rajon. Ky investim ka ndihmuar në krijimin e rreth 180,000 vendeve të punës, duke përfshirë trajnime dhe mundësi zhvillimi për individët nga grupet e cenueshme. Programi i Garancisë për Inovacionin dhe Zhvillimin e Ndërmarrjeve në Ballkanin Perëndimor (WB EDIF) ka siguruar mbështetje financiare për rreth 13,000 biznese, duke ndihmuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe përfshirjes sociale të këtyre ndërmarrjeve.
Rreth BEI-së dhe FEI-së
Banka Evropiane e Investimeve është institucioni kreditues afatgjatë i Bashkimit Evropian dhe financuesi kryesor ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor. Pjesë e Grupit të BEI-së është edhe Fondi Evropian i Investimeve (FEI), që mbështet bizneset mikro, të vogla dhe të mesme në aksesimin e financimeve dhe zhvillimin e sipërmarrjeve./Katror.info