Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, në prani të anëtarëve të jurisë së sivjetme për dhënien e Çmimeve për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, ua ka dhënë sot çmimet tre fituesve për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” nga konkursi i sivjetmë i shpallur nga MKRS-ja muaj më parë, shkruan RTK.
Juria sivjet ka zgjedhur këto tri drama për shpërblim:
Çmimi i parë i është dhënë dramës “Udhëtimi i familjes Muller në Unmikistan”, autorit Jeton Neziraj.
Çmimi i dytë dramës “Fridrih Fluturaku”, autorit Astrit Kabashi.
Çmimi i tretë damës “Zelus”, autorit Hynor Vitija.
Ministri Hajrulla Çeku i përgëzoi fituesit.Ai theksoi se do të përpiqen t’u ofrojnë kushte edhe më të mira të punës dramaturgëve, regjisorëve dhe të gjithë artistëve me rregulloren e re për ta, e që sipas tij është duke e hartuar Ministria e Kulturës.
Aplikimi i dramaturgëve me dorëshkrime të dramave është bërë me shifra dhe ka qenë anonim.
Dramaturgu dhe profesori Fadil Hysaj, i cili ka qenë kryetar i jurisë, kërkoi që dramës bashkëkohore shqipe t’i jepet përparësi dhe ky konkurs të vazhdojë edhe më tutje, pasi që çdo vit shohin prurje të reja./Katror.info