Ekonomia e Kalifornisë ka tejkaluar atë të Japonisë, duke e bërë shtetin amerikan forcën e katërt më të madhe ekonomike globale.
Guvernatori Gavin Newsom vlerësoi të dhënat e reja nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Byroja Amerikane e Analizave Ekonomike, që tregojnë rritjen e Kalifornisë.
Të dhënat tregojnë se produkti i brendshëm bruto (PBB) i Kalifornisë arriti në 4.10 trilion dollarë në vitin 2024, duke tejkaluar Japoninë, e cila ishte shënuar në 4.01 trilionë dollarë. Shteti tani është vetëm pas Gjermanisë, Kinës dhe SHBA-ve në tërësi.
“Kalifornia nuk po mban vetëm ritmin me botën – ne po e përcaktojmë ritmin”, tha Newsom.
Shifrat e reja vijnë ndërsa Newsom ka folur kundër tarifave të Presidentit Donald Trump dhe ka shprehur shqetësim për të ardhmen e ekonomisë së shtetit.
Kalifornia ka pjesën më të madhe të prodhimit industrial dhe bujqësisë në SHBA. Është gjithashtu shtëpia e inovacionit teknologjik kryesor, qendra e industrisë së argëtimit në botë dhe zotëron dy portet më të mëdha detare të vendit.
Newsom, një demokrat i shquar dhe kandidat i mundshëm presidencial në vitin 2028, ngriti një padi duke sfiduar autoritetin e Trump për të vendosur taksat, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje në tregjet dhe tregtinë globale.
Trump ka miratuar taksa prej 10% për pothuajse të gjitha vendet që importojnë në SHBA, pasi njoftoi një pauzë 90-ditore për tarifat më të larta.
Një tjetër tarifë prej 25% u vendos ndaj Meksikës dhe Kanadasë. Megjithatë, taksat ndaj Kinës kanë çuar në një luftë të plotë tregtare me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Trump vendosi taksa importi deri në 145% për mallrat kineze që hyjnë në SHBA dhe Kina u kundërpërgjigj me një taksë prej 125% për produktet amerikane.
Administrata e tij tha javën e kaluar se kur tarifat e reja t’u shtoheshin atyre ekzistuese, taksat mbi disa mallra kineze mund të arrinin në 245%.
Newsom vuri në dukje shqetësimet e tij për të ardhmen e ekonomisë së shtetit./Katror.info