E përditësuar: 10:29
Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, ka folur mbi zhvillimet në rajon.
“Jemi dëshmitarë të tensioneve në rajon, dhe definitivisht duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit”, ka deklaruar Kallas në prag të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së.
***
Kallas informon Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së mbi dialogun Kosovë-Serbi
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të informojë sot Këshillin e Ministrave të Jashtëm të BE-së lidhur me zhvillimet në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, si dhe për vizitat e saj të fundit në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë, shkruan Katror.info.
Takimi mbahet në Luksemburg nga ora 08:00.
Këshilli do të udhëhiqet nga vetë Kallas, ndërsa tema kryesore e diskutimit do të jetë agresioni rus ndaj Ukrainës. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrij Sybiha, do t’u drejtohet ministrave përmes një videomesazhi.
Në agjendë do të jenë gjithashtu edhe marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe ecurinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Vendet partnere të Bashkimit Evropian nga Ballkani Perëndimor janë: Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. BE-ja mbështet perspektivën evropiane të këtyre vendeve, shumë prej të cilave tashmë janë në rrugën e anëtarësimit në kuadër të procesit të zgjerimit”, thuhet në faqen zyrtare të Këshillit Evropian./Katror.info