Kaltrina Begzati është një inxhiniere e re që udhëheq projekte në firmën e njohur zvicerane të prodhimit të trenave Stadlerrail. Ajo është rritur e shkolluar në Gjermani, por ëndrrën e saj po e jeton në Zvicër.
Kaltrina është mbase inxhinieria e vetme shqiptare në këtë fushë në Zvicër, ku bashkë me inxhinierin tjetër shqiptar, Kushtrim Ajvazi janë pjesë e një stafi të madh inxhinierësh e projektuesish të prodhimit të trenave në firmën e njohur Stadrail në St. Margrethen.
Familja e Kaltrinës ka jetuar një kohë në një shtëpi refugjatësh, aty ku Kaltrina ka kujtimet e para të fëmijërisë së saj në Gjermani.
“Unë u rrita si një fëmijë refugjat në një shtëpi për azilkërkuesit në Gjermani. Prindërit e mi kanë qenë gjithmonë model i shkëlqyer për sa i përket jetës. Ata më treguan se me angazhim të madh në jetë mund të arrish gjithçka. E dija qysh herët që doja të studioja inxhinieri mekanike për t’u bërë inxhiniere”.

Në aspektin profesional ajo është adaptuar shpejt dhe ka fituar terren në Zvicër përmes pozitës në përpunimin e porosive teknike në industrinë hekurudhore në firmën Stadler. Kaltrina ka studiuar në qytetin e Konstancës drejtimin e inxhinierise dhe është fituese e çmimit “Zonta Women Business”
“Si inxhinier projekti unë shoqëroj projektin përkatës (SBB) nga faza e konceptit deri në prodhimin e automjeteve duke përfshirë sigurimin e cilësisë deri në testet e tipit dhe miratimin”, tregon ajo për albinfo.ch për punën që bën si inxhiniere.
“Kapërcimi i problemeve nga fusha të ndryshme është pjesë e rutinës së përditshme në këtë punë, që do të thotë se aftësitë e mia komunikuese dhe aftësia për të gjetur zgjidhje në fazën e konceptit, prodhimit, testimi dhe miratimi janë vendimtare për të zhvilluar deri në fund një projekt”.
Stadler është i vetmi prodhues i trenave në Zvicër. Përveç Stadler në treg ka edhe kompani të tjera të jashtme nga ky sektor, si Bombadier, Siemens etj.