Shënimi i kalimit nga njëri vit në vitin tjetër është shumë i rëndësishëm. Na ndihmon të qëndrojmë të lidhur me njerëzit e dashur dhe të sigurohemi që po bëjmë përparim në qëllimet tona.
Natën e 31 dhjetorit dhe mëngjesin e 1 janarit, njerëzit në shumë vende të botës e festojnë fundin e vitit dhe fillimin e një viti të ri. Dhe si çdo festë as kjo nuk kalon pa elemntin kryesor të festimeve, këngës.
Natën Vitit të Ri, është pothuajse e pashmangshme që mos të dëgjohet në filma, seriale, rrugë, festa dhe ahengje “Auld Lang Syne” (Për hir të kohërave të vjetra) që në anglisht mundë të përkthehet edhe si “Old Long Since” (E vjetër prej kohësh), një këngë melodia e së cilës është sinonim për vitin e ri te anglishtfolëssit, pavarësisht sintaksës dhe fjalorit gati të pakuptueshëm.
Teksti mbi të cilin bazohet kënga nuk është fare në anglisht – është skocez i shekullit të 18-të, një gjuhë e ngjashme, por e dallueshme nga anglishtja. Teksti është një poemë në gjuhën skoceze e shkruar nga poeti skocez Robert Burns në 1788 por e bazuar në një këngë më të vjetër popullore skoceze. Në 1799, ajo u vendos në një melodi tradicionale, e cila që atëherë është bërë standarde sidomos gjatë këndimit dhe numërimit mbrapshtë të sekondave të fundit të vitit që kaloi.
Kënga fillon duke shtruar një pyetje retorike: A është e drejtë që kohët e vjetra të harrohen? Përgjigja përgjithësisht interpretohet si një thirrje për të kujtuar miqësitë e vjetra. “Auld Lang Syne” është përkthyer në shumë gjuhë dhe kënga është kënduar gjerësisht në të gjithë botën. Shkalla pentatonike e këngës përputhet me shkallët e përdorura në Kore, Japoni, Indi, Kinë dhe vende të tjera aziatike, gjë që ka lehtësuar popullaritetin e melodisë në Lindje. Prej atëherë pothuajse çdo këngë që është kënduar për natën e Vitit të Ri ka qenë në frymë të ngjashme.
Muzika moderne i ka dhënë mundësi autorëve që temën e këngëve që lidhen për natën ose ditën e vitit të ri ta shqyrtojnë nga këndvështrime të ndryshme. Qindra autorë kompozojnë këngë me tema nga ato optimiste me urime të bukura, thirrje për drejtësi e deri te emocionet dhe problemet personale të autorëve.
ABBA, grupi legjendar suedez, na ka dhuruar disa nga këngët më ikonike që vazhdojnë të na pushtojnë zemrën. Një nga këto klasike është “Happy New Year” (Gëzuar Vitin e Ri), një këngë që u bë hit i menjëhershëm gjatë publikimit të saj në vitin 1980. Kjo kryevepër lirike është më shumë se thjesht një këngë e Vitit të Ri. Është një rregullim i bukur i emocioneve dhe ndjenjave të thella që mishëron shpresat, ankthet dhe aspiratat që njerëzit ndjejnë në fillim të një viti të ri.
“Happy New Year” është një këngë shpresëdhënëse dhe mesazhi qendror i këngës është shumë universal dhe i thjeshtë – njohja e së kaluarës dhe shpresa për një të ardhme më të mirë. Teksti i këngës është emocionues dhe introspektiv, duke marrë një moment për të reflektuar mbi vitin që ka ikur duke uruar për një të nesërme më të ndritshme. Muzika në “Happy New Year” është një ndërthurje e tingujve, instrumenteve dhe emocioneve të ndryshme që krijojnë një përvojë unike dëgjimi. Muzika është këndshëm optimiste dhe krijon një ambient ngritës që përputhet me mesazhin optimist të këngës.
Përzierja harmonike e instrumenteve me seksionin e korit krijon një ndjenjë të gëzueshme dhe festive.
“Happy New Year” nuk është thjesht një këngë e popullarizuar, ajo bart gjithashtu një segment të rëndësishëm kulturor dhe historik. Kënga është bërë pjesë thelbësore e festimeve të Vitit të Ri, e luajtur në festa, himn për shumë njerëz, të cilët e lidhin këngën me fillime të reja, shpresë dhe kujtime të dashura të së shkuarës. Teksti dhe muzika e bukur e këngës janë trajtuar në gjuhë dhe stile të ndryshme, duke e forcuar më tej statusin e saj si një klasik muzikor.
U2 është një nga grupet më të njohura dhe me ndikim në botë. Ata kanë realizuar disa nga këngët më të mëdha në historinë e muzikës, me tekste që janë poetike dhe të ndërgjegjshme shoqërore. Grupi nga fillimet e tij ishte i njohur për trajtimin e çështjeve sociale dhe politike, si të drejtat e njeriut, paqja dhe mjedisi. Një nga këngët e tyre më të famshme është “New Year’s Day”, e cila u publikua në vitin 1983. “New Year’s Day” sot konsiderohet klasik i përjetshëm, dhe ende rezonon me njerëzit dhe i frymëzon dëgjuesit pas gjithë këtyre viteve.
U2 u frymëzuan nga një protestë të cilën grupi e pa vetë në vitin 1982 në Gjermani, teksa ishte në turne. Protesta ishte kundër pushtimit sovjetik të Polonisë dhe ishte një moment kyç për grupin. Bono Vox u prek thellë nga guximi i njerëzve që përballeshin me shtypjen dhe ai shkroi tekstin e “New Year’s Day” si një himn për ata që luftuan për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kënga botërisht i dedikohet lëvizjes Polake Solidarita dhe udhëheqësit së saj Leh Valenca.
Teksti është i shkurtër, poetik dhe i fuqishëm. Kënga fillon me një dëshirë të madhe për të ardhmen, “Gjithçka është e qetë ditën e Vitit të Ri, fillon një botë më e bardhë”. Më pas kënga kalon në një ndjenjë më intensive dhe emocionale: “Do të jem përsëri me ty, ” duke iu referuar të burgosurve nga protestat e Solidaritas. Ky është një përkujtues prekës se nuk duhet t’i harrojmë ata që po luftojnë kundër shtypjes dhe se duhet të qëndrojmë pranë tyre derisa të arrihet qëllimi.
Muzika është po aq e rëndësishme sa edhe teksti. Kënga ka një melodi të thjeshtë, por të fuqishme që kap në mënyrë perfekte intensitetin e tekstit. Akordet e ndezura të pianos dhe të kitarës kumbuese janë ngritëse dhe optimiste, ndërsa ngjallin njëkohësisht ndjenja trishtimi dhe malli.
“New Year’s Day” është ende aktuale sot, më shumë se katër dekada pasi u publikua. Kënga është një himn për ata që luftojnë për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Pavarësisht nëse është lëvizja Black Lives Matter, lufta për të drejtat e LGBTQ+ ose lufta kundër ndryshimeve klimatike, kënga i flet kujtdo që proteston kundër shtypjes dhe padrejtësisë. Kënga është trajtuar nga shumë artistë dhe ka qenë model nga muzikantë të tjerë për këngët e tyre. Ajo ka frymëzuar shumë njerëz në mbarë botën për të ndërmarrë veprime kundër padrejtësisë dhe shtypjes, dhe është shndërruar në një simbol të shpresës dhe guximit përballë fatkeqësive.
Shumë fansa janë shprehur se si kënga i ka ndihmuar në kohë të vështira, apo se si u kujton një moment të madh në të kaluarën e tyre. Kënga është përdorur në mitingje politike, ngjarje bamirësie dhe madje edhe si kolonë zanore për një film të madh. Për shumë fansa, kënga është një himn për shpresën, forcën dhe këmbënguljen.
“Dita e Vitit të Ri” është një këngë që nuk do ta humbasë kurrë rëndësinë e saj. Teksti dhe muzika na flasin të gjithëve në një mënyrë që është universale dhe thellësisht personale. Kënga na kujton se duhet të luftojmë gjithmonë për atë që është e drejtë dhe se duhet të qëndrojmë së bashku ndërsa përballemi me sfidat e jetës. Në një botë që po ndryshon vazhdimisht, “Dita e Vitit të Ri” mbetet një kujtesë e vazhdueshme se ne të gjithë jemi të lidhur dhe se mund të bëjmë një ndryshim në botë.
Taylor Swift është e njohur për frymëzimin nga momentet e jetës së saj dhe i kthen ato në këngë hit. Një nga to është edhe “The New Years Day” (Dita e Vitit të Ri). Këngë e cila oscilon mes zhanrit pop dhe country e publikuar në vitin 2017, është baladë që ka të bëjë me dashurinë, sakrificën dhe tensionet në marrëdhënie. Në pamje të parë, “New Years Day” mund të duket si një këngë e thjeshtë dashurie, por kuptimi i saj shkon më thellë. Kënga detajon pasojat e një feste të egër ku ajo lihet të pastrojë rrëmujën. Tekstet nxjerrin në pah paparashikueshmërinë e jetës dhe nevojën për një partner të fortë dhe të besueshëm, i cili mund të jetë aty për t’ju mbështetur gjatë uljeve dhe ngritjeve.
Refreni i këngës përfshin vargjet: “Mbaju kujtimeve, ata do të të mbajnë ty, ashtu edhe unë do të mbahem për ty.” Këto fjalë shprehin idenë se, në fund të fundit, kujtimet janë gjithçka që na kanë mbetur dhe ne duhet t’i ruajmë ato. Në këngë mbizotëron tema e mbajtjes së të shkuarës dhe mos lëshimit të saj.
As këngët për Vitin e ri sikur muzika në përgjithësi nuk i kanë shpëtuar ndikimeve dhe rethanave të kohës, ngjarjeve ose njerëzve nga të cilët është krijuar. Nga shekulli i 18-të kur me rastin e ndërrimeve të viteve është kënduar për miqësinë dhe ditët që i kemi lënë pas, e deri në ditët tona kur në këto festa këndojmë për urime, revolucione, traumat ose dashuritë e humbura. Çfarëdo zhanri dhe teme të ndëgjohet për vitin e ri nënteksti dhe urimi është i përbashkët. GËZUAR VITIN 2024!/Katror.info