Kori “Siparantum” po e përfaqëson Kosovën në Kupën Botërore të Koreve (The World Choral Cup), që po mbahet në Barcelonë të Spanjës, nga data 23 deri më 28 tetor 2024.
Ndërkaq, sonte Kori “Siparantum” do të performojë në koncertin prestigjioz “Midnight Sounds” në Església de Santa Maria i Sant Nicolau në Calella, duke filluar nga ora 22:00.
“Jemi të emocionuar t’ju njoftojmë se Kori Siparantum sonte do të performon sonte në koncertin prestigjioz “Midnight Sounds” në Església de Santa Maria i Sant Nicolau në Calella në ora 22:00.
Duke u bashkuar me koret me famë nga e gjithë bota, duke përfshirë korin Gwangju Dong-gu nga Koreja e Jugut dhe Maîtrise de Seine-Maritime nga Franca, Kori Siparantum do të paraqitet me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj botëror”, thuhet në njoftimin e Korit “Siparantum”.
Me këtë performancë dhe shumë të tjera që Kori “Siparantum” po i realizon në vende të ndryshme të botës, synim dhe qëllim kryesor është ngritja e artit koral kosovar në skenën botërore.
“Kjo performancë vazhdon misionin tonë për të ngritur artin koral kosovar në skenën botërore. Kori Siparantum përfaqëson me krenari Kosovën në një ngjarje të profilit të lartë, duke nënvizuar përkushtimin tonë për përsosmëri dhe shkëmbim kulturor përmes muzikës”, përfundon njoftimi.