Ministria e Ekonomisë ka hapur publikisht aplikacionet për ofertuesit e ankandit të parë me erë në Kosovë, një hap i rëndësishëm drejt diversifikimit dhe qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë hapjes publike të aplikacioneve, u zotua për ndjekjen e standardeve më të larta të transparencës dhe konkurrencës. Ajo theksoi se ankandi i parë i energjisë së erës, së bashku me atë solar, do të ndihmojë në krijimin e një miksi të balancuar energjetik për vendin.
“Po shpalosim aplikimet për ndërtimin e një impianti të erës prej 50 deri në 100 megavat. Përvoja jonë me ankandin e parë solar ka sjellë interes të madh dhe çmime të favorshme për konsumatorët. Edhe këtë herë, do të ndjekim të njëjtat standarde të larta,” tha Rizvanolli.
Ministrja njoftoi se faza e dytë e ankandit, ku kompanitë do të paraqesin ofertat e tyre financiare, do të nisë në mars. Në këtë proces po marrin pjesë tre kompani ndërkombëtare dhe një vendase, duke dëshmuar interesin e madh për investime në sektorin e energjisë së pastër në Kosovë./Katror.info