Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka bërë të ditur se, në koordinim me Presidencën e Republikës së Kosovës, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të kompanisë ajrore Delta Airlines dhe të shoqatës Airlines for America, me qëllim të prezantimit të mundësive për vendosjen e një fluturimi direkt ndërmjet Prishtinës dhe New York-ut, shkruan Katror.info.
Në postimin e saj zyrtar, Oda thekson se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është renditur si i treti më i madhi në Ballkanin Perëndimor për nga trafiku i pasagjerëve, dhe ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë në Evropë. Sipas saj, kjo e bën Kosovën të gatshme për të forcuar lidhjet transatlantike dhe për të përmbushur kërkesën në rritje për linja direkte ajrore.
“Një fluturim direkt do të hapte rrugë të reja për tregtinë, turizmin dhe investimet, duke forcuar më tej lidhjet e thella ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara,” thuhet ndër të tjera në njoftim.
Oda shton se përpjekjet në këtë drejtim do të vazhdojnë, me synimin për të mundësuar një linjë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe strategjik për vendin./Katror.info