Është lansuar projekti DIALOGUE, një iniciativë e financuar nga Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) dhe e koordinuar nga Universiteti i Vechta-s, në partneritet ndërkombëtar me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës (UP), Universitetin e Tallinit dhe Universitetin e Graz-it, shkruan Katror.info.
Tema e projektit është “Living Europe – Promovimi i edukimit ndërkulturor dhe mundësive për të mësuar për studentët në mbarë Evropën”.
Në ngjarjen e lansimit të projektit, e zhvilluar së fundmi, morën pjesë Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. Asoc. Blerim Saqipi, dhe Shefi i Departamentit të Edukimit të Përgjithshëm, Prof. Dr. Naser Zabeli. Gjatë ngjarjes, u zhvilluan aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe prezentime nga universitetet partnere, një panel diskutimi mbi përgatitjen ndërkombëtare të mësuesve, dhe një sesion rrjetëzimi që bashkoi studentë, mësimdhënës, profesorë dhe administratorë të institucioneve edukative.
Projekti DIALOGUE ka për qëllim të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe mundësitë për edukim ndërkulturor, duke krijuar mundësi për shkëmbime akademike dhe aktivitete të përbashkëta. Aktivitetet kryesore të projektit përfshijnë organizimin e Shkollës Verore në Gjermani për pesë vite radhazi, me pjesëmarrjen e studentëve nga UP, si dhe zhvillimin e mësimdhënies së përbashkët dhe krijimin e materialeve mësimore ndëruniversitare.
Ky projekt është një mundësi e rëndësishme për përmirësimin e ndërkombëtarizimit të aktiviteteve akademike dhe rrjetëzimin e studentëve dhe stafit në nivel ndërkombëtar./Katror.info