Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, më 24 janar, Fakulteti i Edukimit në Universitetin e Prishtinës prezentoi revistën profesionale “EduForum”, një platformë e re për mësimdhënës, hulumtues dhe politikëbërës, shkruan Katror.info.
Revista synon të mbështesë shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, të promovojë rezultatet e hulumtimeve shkencore dhe të nxisë debat akademik e rrjetëzim profesional.
“EduForum është një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur zhvillimin profesional dhe përmirësimin e arsimit në Kosovë,” thuhet në njoftimin e Fakultetit të Edukimit.
Edicioni i parë, i publikuar si numër pilot, përfshin kontribute nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë. Fakulteti ka bërë të ditur se thirrja për artikuj për edicionin e ardhshëm do të hapet në shkurt 2025, duke ftuar mësimdhënësit dhe ekspertët të kontribuojnë me idetë dhe përvojat e tyre./Katror.info