Sukseset në garat e fundit i kanë mundësuar Laura Fazliut që të zërë vend në Top-10 të ranglistës botërore të xhudos. Në ranglistën e publikuar të hënën, xhudistja 22-vjeçare renditet e nënta në kategorinë deri 63 kilogramë.
Laura të shtunën fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Tbilisit, për të cilin sukses i takuan 700 pikë në ranglistë. Ajo pati ditë të madhe deri në finale. Rrugës e mposhti kampionen në fuqi të Evropës, britaniken Gemma Howell, dhe bartësen e tretë, Katharina Haecker. Gjithsej i kishte katër fitore, shkruan Koha.
Në finale, Laura përballë e kishte bartësen e parë, britaniken tjetër, Lucy Renshall. Ndaj saj zhvilloi luftë të fortë dhe plotësisht të barabartë. Kërkoi vazhdimisht hedhjet, njëjtë si britanikja, ndërsa gjyqtarët i dhanë dënimin e tretë në kohën shtesë. Trajneri Driton Kuka ka vlerësuar se gjykimi nuk ishte i drejtë dhe se Laura nuk e ka merituar të humbë me dënime. Kuka, megjithatë, është i kënaqur me paraqitjen e Laurës në Tbilisi./Katror.info