Krerët institucionalë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter, shkruan KOHA.
Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në platformën “X”, ka nderuar jetën dhe veprën e presidentit Carter, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të tij.
“Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë. Mendimet tona janë me familjen e tij teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani.
Edhe kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për presidentin Carter, duke thënë se ka lënë pas trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut në SHBA.
“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Presidentit Jimmy Carter dhe popullin amerikan në ditën e ndarjes së tij nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje punëtore në Plains, Georgia, Presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej. U prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti.
Presidenti i 39-të i SHBA-së ka vdekur të dielën në moshën 100-vjeçare. Ai është laureat edhe i çmimit Nobel për Paqen./Katror.info