Liga e Kampionëve rikthehet sonte me ndeshjet e fundit të kësaj faze, ku skuadrat do të kërkojnë kualifikimin në raundin tjetër.
Ndeshja mes Barcelonës dhe Atalantës, do të jetë një nga sfidat kryesore të mbrëmjes. Katalanasit, tashmë të kualifikuar, do të presin Atalantën, e cila do të kërkojë me çdo kusht një rezultat pozitiv për të siguruar kalimin në fazën tjetër të garave.
Kampioni në fuqi i Evropës, Real Madridi, do të luajë në udhëtim ndaj Brestit, në një duel ku vetëm fitorja do t’i mbante gjallë shpresat e “Los Blancos” për një vend në raundin tjetër.
Lideri i tabelës, Liverpool, që tashmë ka siguruar fazën tjetër, do të jetë mysafir i PSV Eindhoven, në një tjetër sfidë që pritet të dhurojë spektakël.
Në anën tjetër, Lille e Edon Zhegrovës do të sfidojë Feyenoordin para tifozëve të saj, ku vetëm një fitore do t’i garantonte skuadrës franceze një vend në mesin e tetë ekipeve që kalojnë në fazën me eliminim direkt.
Mbrëmja premton emocione të forta, me disa duele vendimtare që do të përcaktojnë fatin e ekipeve në garën elitare evropiane.
Të gjitha ndeshjet nisin në orën 21:00./Katror.info