Transferimi i Ardon Jasharit te Milani është futur në fazën më të rëndësishëm të kësaj “telenovele” verore.
Pas dy muajsh negociatash intensive me Club Brugge, kuqezinjtë kanë bërë ofertën e fundit, që sipas drejtuesve të klubit është përfundimtare.
Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, ka zbuluar për “Gazzetta dello Sport” prapaskenat e fundit.
“Jemi në marrëdhënie të mira me Brugge. Kemi bërë një ofertë të mëtejshme për Jasharin, ofertë që e konsiderojmë shumë të rëndësishme dhe të denjë për vlerën e lojtarit. Nuk kemi ndërmend të shkojmë më tej”, ka thënë Tare.
Oferta e fundit e Milanit është 33.5 milionë euro plus bonuse, që mund ta çojnë totalin e marrëveshjes në rreth 38 milionë euro. Pritet vetëm një “po” nga Club Brugge, por përgjigja e klubit belge ende nuk ka mbërritur.
Club Brugge dje ishte i përqendruar në debutimin e tyre në edicionin e ri kundër Genk, të cilin e fituan 2-1 pa përfshirë Jasharin në skuadër.
Një detaj tjetër i rëndësishëm u kap në videon zyrtare të shpërndarë nga Club Brugge para ndeshjes. Nuk ka asnjë referencë për Jasharin, as te dollapët e personalizuar të lojtarëve në dhomat e zhveshjes – një sinjal se lojtari është në prag të largimit.
Ndërkohë, vetë Jashari shpreson dhe pret, me sy nga Milani dhe dëshirën për të nisur një kapitull të ri në “San Siro”, shkruan RTK.
Pas muajsh negociatash, topi është në fushën e Club Brugge. A do të pranojnë ofertën e fundit apo do të mbyllin derën për një transferim që ka tërhequr vëmendjen e gjithë Evropës? /Katror.info