Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitoi sot nxënësit pjesëmarrës në Olimpiadën e përbashkët të Gjuhës Shqipe, një iniciativë e rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit arsimor mes Kosovës dhe Shqipërisë, shkruan Katror.info.
Gjatë vizitës, Nagavci theksoi se kjo Olimpiadë është një hap domethënës për promovimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, duke vlerësuar punën e përbashkët të dy ministrive të arsimit. Ajo shprehu mirënjohje për përkushtimin e nxënësve dhe mësuesve, duke e cilësuar këtë aktivitet si një mundësi për të forcuar lidhjet kulturore dhe arsimore mes dy vendeve.
“Kjo Olimpiadë është një shembull i shkëlqyer i përkushtimit për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe trashëgimisë kulturore. Pas tri fazave të suksesshme, faza e katërt në nivel kombëtar pritet të jetë kurorëzimi i këtij bashkëpunimi të frytshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë,” tha Nagavci.
Ajo gjithashtu njoftoi se faza finale e Olimpiadës do të mbahet më 10 prill 2025, duke e cilësuar këtë garë si një mundësi të rëndësishme për nxënësit që të ndajnë njohuritë dhe përvojat e tyre në një skenë më të gjerë./Katror.info.