Më shumë se 1 milion kopje janë digjitalizuar deri më tani në Divizionin e Digjitalizimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur në RTK, Liridon Zekaj, udhëheqës i divizionit të bibliotekës digjitale.
Ai tha se digjitalizimi përfshin libra, gazeta, harta, dorëshkrime, si dhe dëshmi të tjera, të cilat ruhen në arkivat e bibliotekës. Kjo, sipas tij, e bën të mundur qasjen më të lehtë për studiuesit dhe publikun e gjerë, duke i ndihmuar ata të kenë qasje të shpejtë dhe të sigurt.
“Qendra e digjitalizimit është me teknologji të fjalës së fundit profesionale, që është enkas për digjitalizimin e librave, gazetave, hartave, dorëshkrimeve e kështu me radhë. Biblioteka Kombëtare deri më tani ka arritur të digjitalizojë diku deri në 1 milion objekte digjitale,” u shpreh Zekaj.
Biblioteka Kombëtare në vazhdimësi ka bërë përpjekje për digjitalizimin e materialeve të saj, duke krijuar arkiva digjitale, në të cilat mund të ketë qasje edhe publiku./Katror.info