Meghan Markle, dukesha e Sussexit, duket se është gati të kthehet në vëmendjen e mediave dhe të lansojë markën e saj të stilit të të jetuarit “American Riviera Orchard” dhe një seri të re në platformën transmetuese “Netflix” në fillim të vitit 2025.
Marka, e cila u prezantua për herë të parë në muajin mars të këtij viti, ende nuk ka nxjerrë asnjë produkt në shitje, por pritet të ofrojë gamë të gjerë produktesh për shtëpinë, duke përfshirë marmelata e reçele të ndryshme, si dhe pajisje për tavolinë si lugë, pirunë dhe peshqirë tavoline.
“Sa për Meghanin që ka qenë në heshtje, ajo ka punuar prapa skenave për të zhvilluar përpjekjet e saj sipërmarrëse… Si projekti i ‘Netflixit’, ashtu edhe marka e saj do të dalin në të njëjtën kohë në vitin e ri”, ka thënë një burim i afërt me Markle për Page Six, përcjell KOHA.
Marka e saj ka arritur tashmë të ketë numër të madh ndjekësish. Faqja e internetit dhe llogaria në rrjetin social Instagram kanë tërhequr mbi 100,000 njerëz që janë regjistruar për të mësuar rreth lansimit të produkteve.
“Fillimi për ‘American Riviera Orchard’ është duke shkuar shumë mirë. Meghan është shumë e kënaqur me interesin e hershëm që ka fituar”, ka thënë një burim për US Weekly.
Përveç kësaj, Meghan gjithashtu po përgatitet për lansimin e një shfaqjeje të re në “Netflix”.
Pavarësisht se nuk dihen shumë detaje për këtë projekt, “Deadline” ka raportuar se shfaqja do të fokusohet në “gatim, kopshtari dhe mikpritje”, duke pasqyruar gëzimin e saj personal në pritjen e të tjerëve dhe ndarjen e eksperiencave të mikpritjes moderne.
“Shfaqja do të jetë një interpretim i saj dhe gëzimit të jetës. Do të jetë për ato gjëra të vogla që ka mësuar në lidhje me mikpritjen në kohët modern”, ka shtuar një burim për US Weekly./Katror.info