Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nënshkruar të enjten Memorandum Bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, për Programin e Bursave Stipendium Hungaricum, për vitet 2024–2026, raporton Katror.info.
225 studentë kosovarë do të kenë mundësi të studiojnë në universitete prestigjioze hungareze duke nisur nga viti akademik 2024/2025, ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në profilin zyrtar në Facebook.
“Në kuadër të këtij programi, Hungaria do të ofrojë çdo vit 75 bursa Bachelor, Master, dhe PhD për studentët kosovarë që duan të studiojnë në universitetet hungareze në drejtimet Bujqësi, Shkenca Shoqërore, Shkenca Natyrore, Arte dhe Shkenca të Humanizmit, Art dhe Dizajn”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërsa Ministrja Nagavci ka thënë se, përgatitja e kuadrove në fusha të caktuara me interes për shoqërinë, është shumë e rëndësishme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.
E Ambasadori i Hungarisë, Bela Boszik, u zotua për bashkëpunim më të gjerë në fushën e arsimit./Katror.info