Miley Cyrus ka publikuar albumin e saj më të fundit, “Endless Summer Vacation”. Albumi i tetë në karrierën e këngëtares doli në mesnatë. Ndërkohë, pas 7 javësh nga publikimi, hiti “Flowers”, vijon të kryesojë listat në mbarë botën dhe të analizohet nga fansat e media për përmbajtjen e saj dhe lidhjen me ish-bashkëshortin Liam Hemsworth.
Albumi i ri duket se është frymëzuar nga ulje-ngritjet e dashurisë. Në “Rose Colored Lenses” ajo flet për fazën e ëmbël të një lidhjeje, në “You” kërkon magjinë e netëve të vona dhe dashurinë e përjetshme.
“Muddy Feet” është më e përfolura aktualisht sepse fansat mendojnë që pikërisht në këtë këngë Miley ka rrëfyer detaje për tradhtitë e shpeshta nga Hemsworth. Në “Jaded”, një baladë rok, ajo i bën thirrje një ish-i që refuzon të pranojë gabimet e tij ndërsa në fund të albumit vijon me dashurinë ndaj vetvetes dhe të ecurit para.
Së bashku me albumin, Miley ka publikuar edhe videoklipin e këngës “River”. Ndërkohë ajo ka bërë të ditur një tjetër projekt që publikohet sot, një bashkëpunim me Disney.
14 vite pas publikimit të hitit me disa disqe platinit, “The Climb”, Miley rikthehet për ta kënduar në nder të nxjerrjes së albumit të saj ndërsa do të performojë edhe këngët e këtij të fundit. Kjo performancë speciale do mund të shihet vetëm në platformën “Disney+”./Katror.info