Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin për përzgjedhjen e dhjetë kandidatëve për pjesëmarrje në kursin njëvjeçar të përgatitjes së oficerëve, që do të zhvillohet në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, shkruan Katror.info.
Ky kurs, i njohur si “Kursi i Përgatitjes së Oficerit – KPO”, synon të forcojë kapacitetet profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes arsimimit dhe trajnimit në një institucion të mirënjohur ushtarak në rajon. Kandidatët që do të përzgjidhen do të përfitojnë njohuri teorike dhe praktike për përgatitjen si oficerë, në përputhje me standardet moderne të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në konkurs mund të aplikojnë vetëm pjesëtarët aktivë të FSK-së që kanë të përfunduar nivelin bachelor, janë në moshë deri në 25 vjeç e 6 muaj dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore e fizike. Aplikantët nuk duhet të kenë masa disiplinore aktive në fuqi.
Procesi i përzgjedhjes përfshin disa faza testimi: provë fizike, test të inteligjencës dhe njohurive të përgjithshme, intervistë, test të gjuhës angleze (ALCPT), si dhe kontroll shëndetësor.
Afati për aplikim është i hapur nga data 25 korrik deri më 3 gusht 2025, në orën 23:59. Aplikimi bëhet online përmes platformës zyrtare të rekrutimit të FSK-së: rekrutimi.fsk-rks.org/Apply. Për informata shtesë, aplikuesit mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 049 906 930 ose 045 655 810 gjatë orarit 09:00 – 15:00.
Ministria e Mbrojtjes thekson se trajtimi i kandidatëve bëhet mbi parimin e barazisë, duke inkurajuar pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe gjinive në këtë mundësi zhvillimi profesional./Katror.info